Fermerët e Komunës së Podujevës do të kenë edhe 10 ditë shtesë për të aplikuar në Programin e Pagesave Direkte, pasi afati është zgjatur deri më 31 korrik 2026.
Aplikimet pranohen në objektin e vjetër të administratës komunale, në zyrën nr. 31, ndërsa numrat për mbajtjen e radhës mund të merren te zyrtari kompetent në katin e dytë të të njëjtit objekt. Gjatë kësaj periudhe, aplikimi do të jetë i mundur edhe të shtunave, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Përmes këtij programi, fermerët mund të përfitojnë mbështetje financiare për pagesat bazë për sipërfaqet bujqësore, pagesat rishpërndarëse për fermat e vogla, të mesme dhe fermerët e rinj, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë, si dhe për eko-skema që mbështesin prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.
Komuna u bën thirrje aplikuesve që gjatë procesit të deklarojnë të gjitha sipërfaqet, kulturat bujqësore, kafshët, kosheret dhe prodhimin sipas gjendjes reale në fermë, ndërsa blegtorët duhet të sigurohen që kafshët janë të identifikuara dhe të regjistruara sipas legjislacionit në fuqi.