Ska me shtesa për fëmijë për këtë kategori

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces të gjerë verifikimi të përfituesve të shtesave për fëmijë, me synim që fondet publike të përfundojnë vetëm te familjet që i plotësojnë kushtet ligjore. Ky aksion vjen pas rritjes së shtesës mujore për fëmijë në 30 euro, por edhe pas rritjes së shqetësimeve se një numër i konsiderueshëm përfituesish nuk jetojnë më në Kosovë.

 

Aktualisht, rreth 406 mijë fëmijë përfitojnë shtesat mujore nga shteti. Megjithatë, të dhënat e emigrimit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se mbi 37 mijë qytetarë janë larguar nga vendi vetëm gjatë një viti, duke ngritur dyshime se një pjesë e familjeve që janë shpërngulur jashtë vendit vazhdojnë të marrin pagesa nga buxheti i Kosovës.

 

Këshilltari për media në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Liridon Llozani, konfirmoi se tashmë është duke u zhvilluar një proces i detajuar kontrolli.

“Ka një numër të atyre që kanë përfituar dhe që nuk kanë qenë banorë të Kosovës. Është një numër i konsiderueshëm i tyre që i janë nënshtruar kontrollit. Meqenëse procesi vazhdon, nuk e kam shifrën e saktë se sa prej tyre janë larguar nga skema e përfitimit për shtesa për fëmijë”, deklaroi ai.

Sipas Ministrisë, verifikimet po kryhen përmes platformës e-Kosova, por edhe duke krahasuar të dhënat e Departamentit të Skemave Sociale me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera shtetërore, me qëllim identifikimin e rasteve kur përfituesit nuk banojnë më në Kosovë.

Ekspertët e politikave sociale vlerësojnë se sistemi aktual ka mangësi të konsiderueshme. Hulumtuesja dhe njohësja e çështjeve sociale e arsimore, Bardha Qirezi, thekson se skema aktuale nuk mbështetet në kritere të mjaftueshme ligjore dhe se mungesa e ndërlidhjes së sistemeve elektronike krijon hapësirë për keqpërdorime.

Sipas saj, shpërndarja e ndihmave pa një sistem të integruar që verifikon vendbanimin, statusin e punësimit dhe të dhënat e tjera sociale e bën më të vështirë kontrollin efektiv të përfituesve.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se shtesat për fëmijë, së bashku me disa skema të tjera sociale, do të rregullohen me një ligj të ri, ku do të përcaktohen qartë kriteret, kushtet dhe mënyra e përfitimit.

“Çështja e shtesave për fëmijë, sikurse edhe disa skema të tjera sociale, do të rregullohet me ligj. Aty do të përcaktohen të gjitha kriteret dhe format e përfitimit. Procesi i verifikimit po bëhet përmes platformës e-Kosova, por edhe përmes Departamentit të Skemave Sociale, duke i krahasuar të dhënat tona me të dhënat që posedojnë institucionet e tjera”, tha Llozani.

Rritja e shumës së shtesave ka sjellë edhe rritje të numrit të përfituesve, duke e bërë edhe më të rëndësishëm kontrollin e listave. Institucionet synojnë që miliona euro nga buxheti i shtetit të përfundojnë vetëm te familjet që jetojnë dhe i plotësojnë kushtet për përfitim në Kosovë.

Deri në miratimin e bazës së re ligjore, procesi i verifikimit do të vazhdojë përmes platformave digjitale dhe krahasimit të të dhënave ndërinstitucionale, ndërsa familjet që nuk plotësojnë kriteret pritet të largohen nga skema e përfitimit.