Një aksident i rëndë trafiku ka marrë jetën e një 24-vjeçareje në orët e para të mëngjesit të së hënës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të nënkalimit për këmbësorë në fshatin Komoran.
Sipas raportimit të Sinjalit, viktima është Rea Raka, 24 vjeçe.
Burime të mediumit bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 21 korrik, rreth orës 05:30, kur një veturë me targa vendore, për rrethana që ende nuk janë sqaruar, dyshohet se ka dalë nga kontrolli dhe ka pësuar vetaksident.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 24-vjeçarja ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tre persona të tjerë që ndodheshin në automjet kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas informacioneve të para, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë duke marrë trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë njësitë e Hetimeve të Trafikut, ekipet e Emergjencës dhe njësitë e tjera kompetente të Policisë së Kosovës, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për kryerjen e obduksionit, ndërsa hetimet janë marrë përsipër nga njësia përkatëse e Hetimeve të Trafikut.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura shkaqet që çuan në aksidentin fatal, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.