Qeveria ka zyrtarizuar nisjen e indeksimit të pensioneve prej 2.7% nga muaji korrik, një vendim i përshpejtuar për shkak të rritjes së inflacionit, ndërkohë që paralajmërohet një rishikim rrënjësor i skemës në muajin shtator në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Por, ndërsa ministria flet për procese miratimi dhe konsultime, eksperti i ekonomisë Kujtim Hoxha jep një alarm për atë që po ndodh realisht me xhepat e pensionistëve. Sipas ekspertit, ky indeksim prej 2.7% është “për të tallur”, pasi në fund të muajit pensionistët përfitojnë vetëm 60 lekë të reja rritje, një shifër që nuk mbulon as rritjen e çmimeve të mallrave që ata kanë konsumuar gjatë kësaj kohe.
Hoxha kritikon ashpër mungesën e transparencës për 230 milionë eurot që ishin premtuar si bonus pranvere dhe që sipas tij mund të sillnin një përfitim prej 130 mijë lekësh të vjetra për çdo pensionist, nëse do të shpërndaheshin drejt.
Ndërsa qeveria pret shtatorin për të prezantuar ndryshimet, eksperti sqaron se skema aktuale po shihet me shqetësim edhe nga Banka Botërore si një sistem që ka nevojë për ndryshim rrënjësor, duke e konsideruar bonusin aktual thjesht një “karamele” për të qetësuar revoltën qytetare në një kohë kur pensionistët jetojnë në kushte mizerabël.