TIRANË–BEOGRAD: NJË MIQËSI QË KOSOVA E PAGUAN

Shkruan: Shkëlzen Gashi

Bashkëpunimi ndërmjet udhëheqjes në Tiranë dhe asaj në Beograd në vitet 1945–1948 mundet me u përmbledhë në pikat e mëposhtme. Krejt ky bashkëpunim ka ndodhë rreth tetëdhjetë vjet më parë, ama ka shumë ngjashmëri me retorikën e sotme të udhëheqjeve në Tiranë e në Beograd për tregun e përbashkët, kufijtë e hapur, miqësinë, stabilitetin rajonal dhe Kosovën si pengesë e këtyre projekteve.

• Heqja dorë nga Kosova: Në dhjetor 1946, Enver Hoxha deklaron se kërkimi i Kosovës nuk është në interesin e Shqipërisë dhe se shqiptarët e Kosovës duhet të afrohen e të «vëllazërohen» me jugosllavët.
• Traktati i Miqësisë: Gjatë vitit 1946, Shqipëria dhe Jugosllavia lidhin një traktat që synon forcimin e marrëdhënieve politike ndërmjet dy vendeve.
• Afrimi ekonomik: Të dyja shtetet nënshkruajnë një marrëveshje që parasheh heqjen e barrierave doganore dhe afrimin e ekonomive të tyre.

• Promovimi i Jugosllavisë në Shqipëri: Enver Hoxha kërkon që Jugosllavia të «popullarizohet» më shumë ndër shqiptarët dhe që opinioni publik shqiptar të orientohet në favor të saj.
• Goditja e kundërshtarëve të afrimit me Beogradin: Enver Hoxha e kritikon ashpër ata që e paralajmërojnë se afrimi i tepërt me Jugosllavinë mund ta rrezikojë pavarësinë e Shqipërisë.
• Federata Ballkanike: Enver Hoxha e pranon projektin, të mbështetur edhe nga Moska, për përfshirjen e Shqipërisë dhe Jugosllavisë në një federatë të përbashkët ballkanike.
• Bashkimi ushtarak: Zhvillohen plane për bashkimin ose unifikimin e ushtrisë shqiptare me atë jugosllave.
• Bashkimi i dy shteteve: Në një letër drejtuar Titos, në mars 1948, Enver Hoxha shprehet në favor të bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.
• Kërkesa për hapa konkretë: Hoxha e nxit Titon me ndërmarrë masa praktike dhe më të shpejta për realizimin e këtij bashkimi.