Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur me debatin e fundit dhe thirrjet për të dënuar deklaratën e ministres serbe mbi Kosovën.
Rama ka cilësuar “histeri” kërkesat e vazhdueshme për reagime ndaj çdo deklarate që vjen nga Beogradi, duke theksuar se Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e saj zyrtar përmes Ministrisë së Jashtme.
Kreu i qeverisë shqiptare nuk i ka kursyer ironitë dhe kritikat as ndaj zërave opozitarë apo kritikëve në Tiranë, të cilët, sipas tij, po e përdorin këtë situatë për të marrë “poza luftëtarësh”.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!” u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri sqaroi se reagimi institucional i Shqipërisë ka qenë i duhuri dhe se vendi nuk do të bëhet pjesë e zhurmës mediatike për çdo deklaratë provokuese.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë. Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh🤣”, tha ai.