Supermarketi i parë i LIDL pritet të hapet shumë shpejt në Shqipëri, duke shënuar një moment të rëndësishëm për tregun vendas dhe për investimet e huaja në vend. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin MatchMaker Albania, ku ai vlerësoi rolin dhe seriozitetin e investitorëve gjermanë.
Teksa po përmbyllte fjalimin, Rama theksoi se përfaqësuesit e Lidl tashmë janë duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet shqiptare dhe po finalizojnë përgatitjet për hapjen e objektit të parë në vend. Sipas tij, ky zhvillim është një sinjal i fortë besimi ndaj ekonomisë shqiptare dhe një hap i madh drejt rritjes së standardeve në sektorin e tregtisë.
“Njerëzit e LIDL që janë këtu, po punojnë me ne dhe shumë shpejt do të çelin mjedisin e tyre të parë, objektin e tyre të parë. Dhe, siç më thotë dikush, kur vijnë gjermanët, vërtet je në një nivel tjetër”, u shpreh Rama, duke nënvizuar rëndësinë që ka hyrja e një marke të tillë ndërkombëtare në tregun shqiptar.
Hapja e LIDL pritet të sjellë jo vetëm konkurrencë më të fortë në çmime dhe cilësi, por edhe standarde të reja shërbimi, duke ndikuar drejtpërdrejt në përvojën e konsumatorëve shqiptarë dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit retail në vend.