Lëvizja Vetëvendosje pritet të hyjë në javën e ardhshme me një strategji të re për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Sipas burimeve të Gazeta Minuti, partia në pushtet tashmë ka përzgjedhur dy emra të rinj që do t’i propozojë kryeministri Albin Kurti gjatë takimeve me liderët e opozitës.
Burimet e Gazeta Minuti bëjnë të ditur se këta emra nuk do të bëhen publikë paraprakisht, por do të diskutohen drejtpërdrejt në tryezën e bisedimeve me opozitën. Qëllimi i kësaj qasjeje është arritja e një kompromisi politik që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas të njëjtave burime të Gazeta Minuti, në rast se njëra nga partitë opozitare pranon njërin nga kandidatët e propozuar, ai emër do të dërgohet për votim në seancën e Kuvendit kur të mbahet procesi i zgjedhjes së Presidentit. Ndërkohë, kjo nënkupton edhe tërheqjen apo zëvendësimin e kandidatëve aktualë të përfolur, si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, të cilët deri më tani janë konsideruar si opsione nga radhët e Vetëvendosjes.
Interesant është fakti se njëri nga emrat e rinj pritet të jetë figurë më konsensuale, e pranueshme edhe për opozitën, ndërsa emri i dytë, sipas burimeve, mund të shërbejë më shumë për të përmbushur kriteret procedurale të procesit të zgjedhjes së Presidentit. Një tjetër opsion që po shqyrtohet është edhe mundësia që njëra nga partitë opozitare të propozojë vetë një kandidat, nëse arrihet dakordim paraprak politik.
Megjithatë, nëse liderët e opozitës nuk i pranojnë emrat që do të paraqiten nga Kurti, atëherë situata mund të marrë një drejtim tjetër. Në këtë rast, Vetëvendosje pritet të procedojë në Kuvend me kandidatët aktualë, përkatësisht Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku.
Një skenar i tillë do ta vështirësonte arritjen e shumicës së nevojshme dhe, në mungesë të zgjedhjes së Presidentit, vendi do të përballej me një krizë institucionale që mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për këtë proces, ndërsa të gjitha sytë janë kthyer nga takimet mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, të cilat mund të përcaktojnë drejtimin politik të vendit në muajt në vijim.