Pas presionit të madh nga aksionarët, gjiganti i veturave luksoze Porsche është detyruar të publikojë për herë të parë strukturën e brendshme të pagave. Të dhënat tregojnë se kompania paguan shuma marramendëse krahasuar me mesataren gjermane, përcjell INA, duke cituar media gjermane.
Nga 23,000 punëtorë sa ka gjithsej, gati 40% e tyre (9,082 punonjës) marrin një pagë gjashtëshifrore prej mbi 100,000 eurosh në vit.
Pagat sipas pozitave (Nën 100,000 € në vit):
Sipas të dhënave të platformës Kununu, pagat mesatare vjetore për pozitat e tjera janë:
Menaxher projekti: 91,800 euro
Inxhinier zhvillimi: 87,500 euro
Menaxher i Burimeve Njerëzore (HR): 80,000 euro
Menaxher i furnizimit (Prokuror): 75,600 euro
Asistent administrativ: 61,700 euro
Punëtor në prodhim: 58,000 euro
Specialist logjistike: 51,300 euro
Milionat e shefave të mëdhenj:
Sipas revistës Automobilwoche, saktësisht 201 punonjës fitojnë mbi 300,000 euro, ndërsa 28 prej tyre kalojnë gjysmë milioni euro në vit. Vetëm 3 menaxherë marrin mbi 1 milion euro bazë.
Në vitin 2025, drejtorët më të paguar ia kaluan edhe shefit të tyre:
Michael Steiner (Shef i Zhvillimit): 2.10 milionë euro
Albrecht Reimold (Shef i Prodhimit): 2.05 milionë euro
Oliver Blume (Ish-CEO): 1.90 milionë euro (pasi drejtonte edhe Volkswagen-in, fitimet e tij totale ishin shumë më të larta).
Jochen Breckner (Drejtori i ri Financiar) dhe Matthias Becker (Drejtor i Shitjes): Nga 1.10 milionë euro secili.
Çmenduria me dëmshpërblimin e ish-drejtorit:
Ish-drejtori financiar, Lutz Meschke, i cili u largua nga kompania në fund të shkurtit 2025, mori rrogën prej 266,588 eurosh për dy muaj punë, por Porsche u detyrua t’i paguante atij një dëmshpërblim (otpremninë) prej mbi 10 milionë eurosh për t’ia blerë pjesën e mbetur të kontratës që vlente deri në vitin 2027.
Edhe pse këto shuma duken marramendëse, bosët e Porsche fitojnë dukshëm më pak se rivalët e tyre gjermanë. Për shembull, në vitin 2025, CEO i BMW-së, Oliver Zipse, fitoi 7.85 milionë euro, ndërsa shefi i Mercedes-Benz, Ola Källenius, arkëtoi plot 8.78 milionë euro.(INA)