“Të dashur flamingo…”, Edi Rama reagon ashpër pas pamjeve që tronditën Tiranën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas videos dhe pamjeve me arkivol të shfaqura gjatë protestës para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një simbolikë të rëndë dhe të papranueshme.

 

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama iu drejtua protestuesve me fjalët “të dashur flamingo”, duke thënë se protesta e nisur nga shqetësime të sinqerta qytetare është devijuar nga forca politike dhe grupe që, sipas tij, kërkojnë ta përdorin për qëllime të tjera.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se arkivoli nuk mund të shihet si formë normale proteste, pasi sipas tij lidhet vetëm me vdekjen dhe me një të kaluar të dhimbshme të Shqipërisë.

Rama theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga vendi, por sipas tij protesta nuk duhet të kthehet në mjet dhune, linçimi apo shënjestrimi ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të zgjedhur.

 

Ai shtoi se protesta paqësore ka vlerë dhe meriton respekt, por sipas tij pamjet e fundit tregojnë se ajo nuk përfaqëson më frymën fillestare të qytetarëve që dolën për shqetësimet e tyre.

Në fund të reagimit, Rama u bëri thirrje protestuesve të mos heqin dorë nga kujtesa historike, duke theksuar se “kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon”.