Si nëpër filma, qytetari tenton t’i ikë policisë në Gjakovë, përplaset me veturën zyrtare

Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë.


Qytetari gjatë kontrolleve rutinore të Policisë së Kosovës në fshatin Krushë të Rahovecit ka refuzuar të ndalojë në pikën e kontrollit, kurse zyrtarët policorë me mbështetje të njësive tjera kanë tentuar ta ndalojnë atë në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë.

 

I dyshuari ka refuzuar të ndalojë dhe ka tentuar t’i godasë zyrtarët policorë.

Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënsja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

“Gjatë përcjelljes nga një patrullë tjetër policore në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i dyshuari ka goditur automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar aksident trafiku ku është përfshirë edhe një automjet civil”, tha ajo.

Pas aksidentit, i dyshuari është përpjekur për t’u larguar në këmbë, por është ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor.

“Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij janë iniciuar rastet “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa është ndaluar për 48 orë”, tha Krasniqi.