Edhe pse rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit ende nuk janë certifikuar, klima politike në vend po shoqërohet me pasiguri në rritje.
Mungesa e deklaratave konkrete nga partitë politike dhe mungesa e sinjaleve të qarta për një koalicion qeverisës po shtojnë dilemat për hapat e ardhshëm institucionalë.
Procesi i certifikimit të rezultateve pritet të përcaktojë përbërjen përfundimtare të Kuvendit, por deri tani partitë kryesore nuk kanë dhënë qëndrime të qarta lidhur me mundësinë e krijimit të shumicës parlamentare.
Kjo situatë po ushqen spekulime për negociata të mundshme politike, por pa ndonjë konfirmim zyrtar.
Jakupi: Asnjë subjekt nuk i ka numrat për të qeverisur i vetëm, prandaj kompromisi nuk duhet parë si dobësi, por si përgjegjësi politike
Analisti politik, Zejnullah Jakupi thotë për “Bota sot” se Kosova ndodhet në një fazë pritjeje dhe se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi formimin e qeverisë.
Sipas tij, zgjedhjet e reja mbeten një mundësi, por jo skenari më i mundshëm, pasi fillimisht duhet të shterohen të gjitha procedurat kushtetuese.
Jakupi vlerëson se ende ka hapësirë për kompromis politik, duke theksuar se sfida kryesore është krijimi i një shumice të qëndrueshme që garanton stabilitet dhe funksionalitet institucional.
“Tani jemi në një fazë pritjeje, ku procesi institucional ende nuk ka hyrë në etapën vendimtare. Derisa rezultatet të certifikohen dhe të nisë zyrtarisht procedura për konstituimin e Kuvendit, është e kuptueshme që partitë të mos i kenë bërë publike të gjitha pozicionet e tyre negociuese. Megjithatë, mungesa e deklaratave konkrete për një shumicë qeverisëse e ka rritur perceptimin e pasigurisë politike.
Rreziku i zgjedhjeve të reja ekziston, por në këtë moment nuk do të thosha se është skenari më i mundshëm. Legjislacioni dhe procedurat kushtetuese parashohin disa etapa që duhet të kalohen përpara se vendi të shkojë në një proces të ri zgjedhor. Fillimisht duhet të provohen të gjitha mundësitë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Nga ana tjetër, përvoja politike në Kosovë ka treguar se marrëveshjet më të rëndësishme shpesh arrihen vetëm kur afrohen afatet kushtetuese dhe rritet presioni për krijimin e institucioneve. Prandaj, besoj se ende ka hapësirë për kompromis politik, nëse subjektet vendosin stabilitetin institucional dhe interesin publik mbi kalkulimet partiake.
Në fund, sfida kryesore nuk është vetëm formimi i një qeverie, por krijimi i një shumice që mund të garantojë stabilitet dhe funksionalitet. Një qeveri e ndërtuar mbi një shumicë të brishtë do ta kishte të vështirë të përballonte agjendën e reformave dhe sfidat që e presin vendin”, thotë ai.
Jakupi paralajmëron se zgjedhjet e reja do të kishin kosto të lartë financiare dhe institucionale, duke theksuar se vendi nuk mund të mbetet pafundësisht në një cikël zgjedhor.
“Mendoj se shkuarja në zgjedhje për herë të katërt brenda rreth një viti e gjysmë rrezikon ta kthejë procesin zgjedhor në një lloj “sporti politik”, me kosto të lartë financiare dhe institucionale. Flitet për rreth 10 milionë euro shpenzime për një proces të ri zgjedhor, ndërkohë që vendi vazhdon të funksionojë me institucione në detyrë dhe qytetarët mbeten në pritje të zgjidhjeve për problemet reale.
Në këtë situatë, deputetët vazhdojnë të marrin pagat e tyre, Qeveria në detyrë vazhdon të ushtrojë kompetencat që i lejon ligji, ndërsa opozita, në një farë mënyre, duket se është futur në një gjendje pritjeje, pa arritur të imponojë një alternativë ose një zgjidhje që do ta nxirrte vendin nga ngërçi”, shprehet më tutje.
Mes tjerash, Jakupi thekson se partitë duhet të pranojnë verdiktin e qytetarëve dhe të tregojnë përgjegjësi përmes kompromisit.
Sipas tij, një koalicion i ndërtuar mbi marrëveshje të qarta programore do të sillte stabilitet institucional, ndërsa qytetarët presin zgjidhje konkrete, e jo kalkulime të pafundme politike.
“Mendoj se partitë politike duhet ta pranojnë realitetin që ka prodhuar verdikti i qytetarëve. Asnjë subjekt nuk i ka numrat për të qeverisur i vetëm, prandaj kompromisi nuk duhet parë si dobësi, por si përgjegjësi politike.
Nëse njëra nga partitë e mëdha shqiptare, si LDK-ja apo PDK-ja, do të vendoste të hynte në një koalicion qeverisës ose të mundësonte krijimin e institucioneve, nuk besoj se kjo do ta dobësonte domosdoshmërisht atë parti. Përkundrazi, nëse një bashkëpunim i tillë do të ndërtohej mbi një marrëveshje të qartë programore, me ndarje të përgjegjësive dhe objektiva konkrete, ai mund të demonstronte pjekuri politike, të kontribuonte në stabilitetin institucional dhe, në afat më të gjatë, edhe ta forconte besueshmërinë e asaj force politike.
Në demokracitë parlamentare, koalicionet nuk janë përjashtim, por shpesh janë mënyra për të respektuar vullnetin e elektoratit kur asnjë parti nuk ka shumicën e nevojshme. Prandaj, besoj se qytetarët sot presin më shumë përgjegjësi dhe zgjidhje sesa kalkulime të pafundme politike” – përfundoi ai.
Nimani: Kosovës i nevojiten institucione funksionale dhe një kulturë kompromisi politik që vendos interesin e shtetit mbi interesat partiake
Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” ka folur edhe analisti Artan Nimani, i cili nënvizon se mungesa e hapave konkretë për krijimin e shumicës parlamentare po e thellon pasigurinë politike. Ai vlerëson se, ndonëse LDK-ja ka shprehur gatishmëri për dialog, deri tani nuk ka pasur reagim konkret nga Albin Kurti për formimin e institucioneve.
“Ka kaluar gati një muaj nga zgjedhjet dhe ende nuk kemi parë asnjë lëvizje konkrete nga subjekti fitues për ndërtimin e një shumice parlamentare. Kjo është shqetësuese dhe rrezikon ta fusë vendin në një ngërç politik, me pasoja për funksionimin normal të institucioneve dhe proceset e rëndësishme shtetërore.
Nga ana tjetër, Lutfi Haziri ka shprehur publikisht gatishmërinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të diskutuar rreth një zgjidhjeje politike. Megjithatë, deri më tani nuk kemi parë ndonjë reagim konkret nga Albin Kurti. Madje, në disa paraqitje publike ai ka shmangur edhe pyetjet e gazetarëve lidhur me mundësinë e krijimit të institucioneve të reja”, u shpreh ai.
Nimani në fund shprehet se do të preferonte një kompromis mes LVV-së dhe një prej partive të mëdha opozitare për të siguruar stabilitet institucional. Megjithatë, ai vlerëson se aktualisht zgjedhjet e reja duken më të mundshme sesa arritja e një marrëveshjeje politike.
“Unë do të doja që Lëvizja Vetëvendosje të tregonte fleksibilitet politik dhe të arrinte një kompromis me njërën nga dy partitë më të mëdha opozitare, qoftë me Partinë Demokratike të Kosovës ose me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një marrëveshje e tillë do të krijonte stabilitet institucional dhe do të mundësonte jo vetëm formimin e qeverisë, por edhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme për vendimmarrjet që kërkojnë konsensus më të gjerë, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit, ku kërkohen dy të tretat e votave në Kuvend — pikërisht një nga arsyet pse vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Megjithatë, bazuar në zhvillimet e deritanishme, kjo nuk po duket se është në horizont. Për këtë arsye, sot shoh më shumë gjasa për zgjedhje të reja sesa për një zgjidhje politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë në ditët në vijim, sepse Kosovës i nevojiten institucione funksionale dhe një kulturë kompromisi politik që vendos interesin e shtetit mbi interesat partiake”, – përmbylli ai për “Bota sot”.