Mbyllet “Vita”, ja çka thotë Muja

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka deklaruar se mbrojtja e konsumatorit dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë obligime institucionale që zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, pa përjashtim.

 

Në një reagim lëshuar nga MBPZHR, thuhet se kontrollet zyrtare që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, sipas Mujës, janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të agjencisë për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore.

 

“Gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë “Vita”, në të njëjtën mënyrë si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka deklaruar Muja.