Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri që tronditi mesditën e sotme qytetin e Podujevës.
Sipas informacioneve të siguruara nga IndeksOnline, katër personat e plagosur në këtë ngjarje janë në lidhje familjare, konkretisht dajë dhe nipa.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Më herët, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se të katër të plagosurit janë të moshës së mesme dhe se gjendja e tyre është e rëndë, por stabile, ndërsa po u nënshtrohen ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po vazhdon hetimet për të sqaruar motivin dhe rrethanat e incidentit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkakun e ngjarjes.
Më herët gjatë ditës janë publikuar edhe pamje nga momenti kur një polic civil ndërhyri dhe neutralizoi personin e dyshuar të armatosur, duke vënë situatën nën kontroll.
Autoritetet pritet të dalin me informacione të reja pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
Ky lajm do të përditësohet sapo të publikohen detaje të reja zyrtare.