Lumir Abdixhiku merr lajmin që nuk e priste askush

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot një mbledhje të Kolegjiumit të Degëve në selinë qendrore të partisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike, situata aktuale në vend, si dhe çështje që lidhen me organizimin e brendshëm të subjektit.

 

Sipas burimeve të IndeksOnline, në këtë takim 33 degë të LDK-së kanë shprehur mbështetje unanime për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, duke riafirmuar besimin në udhëheqjen e tij.

Po ashtu, degët janë deklaruar në favor që zgjedhjet e brendshme të LDK-së të mbahen në afatin e rregullt statutor, duke mbështetur respektimin e procedurave dhe afateve të përcaktuara në statutin e partisë.

Gjatë mbledhjes, Kolegjiumi i Degëve ka diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, situatën institucionale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova në këtë periudhë.

 

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe roli i LDK-së në zhvillimet politike aktuale, si dhe angazhimi i partisë në proceset që pritet të pasojnë në skenën politike.

Mbledhja vjen në një periudhë kur në vend vazhdon të ketë zhvillime të rëndësishme politike dhe diskutime rreth funksionalizimit të institucioneve, ndërsa LDK po vazhdon konsultimet e saj të brendshme për hapat e ardhshëm politikë.