“Po i ngul thika Kosovës” – Mekuli ‘godet’ Ramën: Po luan rolin e “mbretit mediatik”, po përçan shqiptarët për…!

Profesori dhe kritiku i mediave nga Norvegjia, Gëzim Mekuli, në një intervistë për “Bota sot”, ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për shndërrimin e politikës në “teatër personal” dhe për përdorimin e narrativave që, sipas tij, rrezikojnë të thellojnë përçarjet kombëtare.

 

Mekuli ka theksuar se veprimet dhe deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare po shfaqin një stil të “mbretit mediatik”, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për raportet e Shqipërisë me shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon.

 

“Politika e Edi Ramës tashmë është kthyer në një teatër personal ku e vërteta nuk ka më vlerë; Në vend që të dëgjojë zërin e popullit që protestojnë kundër shkatërrimit të Shqipërisë, ai zgjedh të bëjë hajgare dhe të fyejë shqiptarët. Kur ky njeri shigjetoj ironitë e tij edhe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë, Rama tregoi se për të ruajtur pushtetin e tij është gati të bëjë gjënë më të ulët: të përçajë kombin shqiptar.

Edi dRama, ka vendosur të luajë aktin më të rrezikshëm të karrierës së tij: atë të mbretit mediatik; Përballë një populli që përditë e përnatë po cohet në këmbë kundër krimit kultiror, ambientalist dhe oligarkisë në Tiranë, dRama nuk zgjodhi llogaridhënien para popullit, por yrnekun e vjetër të diktatorëve të rrëzuar: e quajti revoltën e popullit shqiptar «histeri kolektive» dhe, me një arrogancë të katundari të shekullit XIX, ktheu thikat e ironisë së tij bajate drejt shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Aspak e papritshme nga dRama, apo jo?”

 

Krahas kësaj, Mekuli tha se me qasjen e tij ndaj shqiptarëve të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë po bën një shkelje të Kushtetutës së shtetit.

Ai tha se të gjithë shqiptarët janë hisedarë në Shqipëri dhe nuk janë mysafirë, madje ngriti pyetje se “…kush është Edi Rama që të vendosë kurthe emocionale dhe politike mes shqiptarëve?”

“Kjo sjellje e këtij njeriu është një shkelje flagrante e kontratës sonë mbijetuese si komb: Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e përcakton si detyrim mbrojtjen dhe jetësimin e lidhjeve me shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Prandaj askush nuk ka as mandat kushtetues, as autoritet etik dhe as të drejtë morale të tallet me shqiptarët e Kosovës apo të trojeve të tjera. Shqiptarët jashtë kufijve administrativë të vitit 1912 nuk janë mysafirë në shtëpinë e tyre; ata janë hisedarë. Po, po, ne jemi hisedarë. Pikë! Ne historikisht e kemi ndërtuar, shpëruar dhe krijuar këtë gjysmë Shqipërie bashkë. Këta burra si Isa Boletini, Hasan Prishtina e Idriz Seferi me shokë shumë erdhën për të «shpëtuar Shqipërinë» apo Serbinë, Edi dRama? Kush e vulosi pavarësinë në Vlorë, dRama? E kush është Edi dRama që të vendosë kurtha emocionale dhe politike mes shqiptarëve? Këtë strategji e ka Serbia dhe akademia serbe e Beogradit, dRama. Si bëhet që ti aq bukur të përshtatesh me propagandën e Serbisë së moçme për të ndarë e për të coptuar shqiptarët?

Rama shpërfaq hapur strategjinë e tij të preferuar: Divide et Impera (përçaj dhe sundo). Ai dëshiron një popull të hallkatur, të ndarë në parcela krahinore, sepse vetëm mbi përçarjen mund të ngrejë perandorinë e tij të propagandës”,shtjelloi njohësi i çështjeve politike.

Më tej, ai vlerësoi se Rama i ka bërë dëme të mëdha kombit shqiptar, sidomos me bashkëpunimin që ka me Vuçiqin dhe qasjen kritike dhe refuzuese ndaj Kurtit.

Në këtë pikë, ai përmendi edhe planin për ndarjen e Kosovës, si dhe atë të “Ballkanit të Hapur”.

“Gjeopolitikish dhe kulturalisht, ky (pa)krye-ministër është insani që i ka sjellë dëme të pandreqshme kombit shqiptar; kujtoni projektin famëkeq të «Ballkanit të Hapur», një plan i krijuar sall për hatër të gjeopolitikës serbe të Aleksandër Vuçiçit. Kujtoni thikat pas shpine që dRama ia nguli vazhdimisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe vetë shtetësisë së Kosovës. Kujtoni lobimin e tij të ethshëm për ndarjen e Kosovës, të koordinuar me një klasë të korruptuar politike dhe mediatike në Prishtinë. Kur e sheh këtë forografi, kupton se dRama jeton komplet jashtë kontekstit historik e gjeopolitik të shqiptarëve; A po jo, të nderuar lexues?

Nuk ka asgjë origjinale në teatrin e dRamës; përpjekja për të shitur rezistencën mbarëshqiptare si «histeri kolektive» është thjesht një kopje e frikshme e diktaturave të rëna; edhe këta e lexonin zemërimin popullor, si «të çmendur», «të manipuluar» apo «histerikë».”

Në vazhdim, njohësi radhiti edhe disa personalitet politike që Rama po i imiton dhe se ngjashëm e pret fati i tyre.

“Ja, këtu më poshtë po ja kujtoj dRamës fatin dhe gjuhën e atyre që ky e imiton:

1.Erich Honecker dhe RDGJ (1989): Kur gjermanët e Lindjes u ngritën në protestat popullore për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar, Honeckeri dhe aparati i tij i korruptuar propagandistik i quanin ato saktësisht «histeri kolektive» të nxitur nga agjenturat e jashtme. Honeckeri deklaronte me arrogancë se Muri i Berlinit do të qëndronte edhe 100 vjet të tjerë. Por, ashtu siç po ndodh sot në Tiranë, ku po bashkohet fryma e lartë politike dhe kulturore e shqiptarëve nga të gjitha trojet, ajo «histeri» gjermane ishte në fakt zgjimi i një kombi. Brenda pak muajsh, ai mur i turpit, që ndau kombin gjerman, u rrënua dhe Honeckeri përfundoj ashtu siq edhe e meritoj. Prandaj protestat e gjermanëve më1989 në Berlin, kanë shumë ngjajshmëri me protestat e shqiptarëve ne Tiranë me 2016…

2.Nicolae Ceaușescu (Rumani): Vetëm pak ditë para se populli t’i tregonte vendin në dhjetor të vitit 1989, Ceaușescu i quante protestuesit në Timishoara si «huliganë» dhe «provokatorë histerikë» që donin të shkatërronin vendin. Ai mbajti fjalimin e tij të fundit nga ballkoni, i rrethuar nga një turmë që filloi ta fishkëllente; një skenë që i ngjan aq shumë frikës që dRama ka sot nga sheshi dhe nga populli protestues në krejt Shqipërinë dhe jashtë sajë.

3.Anwar Sadat (Egjipt): Kur u përball me revoltat popullore kundër oligarkisë dhe marrëveshjeve që shitnin interesat e vendit, i trajtonte lëvizjet opozitare si «devijime mendore» dhe «histeri kolektive», duke refuzuar të shihte realitetin e shtypjes ekonomike dhe tradhtisë politike”.

Përveç kësaj, Mekuli vazhdoi me kritika ndaj Ramës dhe qasjes së tij përqeshëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Madje, ai e paralajmëroi atë se historia na ka treguar se shfaqja e diktatorëve përfundon gjithmonë në të njëjtën mënyrë.

“Ashtu si Gjermania e vitit 1989 që shkundi themelet e komunizmit përmes bashkimit gjerman, edhe protestat e sotme në Tiranë nuk janë «histeri kolektive», por një manifestim i një fryme të lartë kulturore dhe kombëtare. Kur dRama përqesh shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë që marshojnë në Tiranë, ai harron se ashtu si gjermanët që nuk pyetën për telat me gjemba të Honeckerit, as shqiptarët nuk pyesin për kufijtë administrativë që na lanë jashtë Shqipërisë në vitin 1913; sepse Shqipëria është oksigjeni publik e politik i shqiptarëve kudo që frymojnë, apo jo, Edi dRama?

dRama po aktron në ballkonin e tij të fundit, por historia na ka treguar se shfaqja e diktatorëve përfundon gjithmonë në të njëjtën mënyrë: me triumfin e popullit sovran”,nënvizoi njohësi.

Në fund, ai shtoi se shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës, Malit të Zi e Çamërisë kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë krah i Shqipërisë. Derisa e paralajmëroi Ramën se “karrigia juaj do të thyhet dhe propaganda do të shterret”.

“Si mundet një kryeministër të jetë kaq idiot para gjakut dhe kujtesës sonë kolektive? Gjatë tmerrit të luftës në Kosovë, populli i varfër por me zemër të madhe në Shqipëri hapi dyert e shtëpive, ndau bukën, kripën, lotin, vuajtjen dhe fishekun me vëllezërit e motrat e tyre të dëbuar e të dhunuar nga ushtria serbe. Sot Shqipëria ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve të Kosovës dhe të të gjithë shqiptareve. Prandaj shqiptaret tok duhet të jenë në Tiranë, jo sall kundër një njeriu por kundër një sistemi të qelbur që krijoj ky njeri me oligarkët e tij.

Konsekuent deri në fund; Asnjë shfaqje teatrore nuk mund ta zhbëjë dot të vërtetën: Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës, Malit të Zi e Çamërisë kanë qenë, janë dhe do të mbeten krah i Shqipërisë dhe do ta ndihmojnë Shqipërinë, ashtu siq shqiptarët e Shqipërise ndihmuan Kosovën. Solidariteti nuk është «histerie kolektive», por drita e një vetëdijeje kombëtare që nuk do të shuhet, pavarësisht skenarëve të lodhta të dRamës & Co.

Zoti Kryeministër, kur karrigia juaj të thehet dhe propaganda të shtjerret, si do t’i shihni në sy shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, pasi i ofenduat vetëm për të mbrojtur b*then tënde?” përmbylli Gëzim Mekuli për “Bota sot”.