Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se i ka anuluar sulmet e reja ushtarake kundër Iranit, disa orë pasi kishte kërcënuar se do t’i përshkallëzonte ato.
Duke shkruar në rrjete sociale, ai tha se e mori këtë vendim “duke u mbështetur në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë sjellë në nivelin më të lartë të lidershipit iranian dhe janë miratuar”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ai gjithashtu la të kuptohej se është bërë përparim në bisedimet për zgjatjen e afatit të një armëpushimi të brishtë, duke thënë se “diskutimet dhe pikat përfundimtare, në koncept dhe në hollësi të mëdha”, janë miratuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe aleatët e tjerë rajonalë, pa ofruar hollësi.
Presidenti amerikan tha më tej se “bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë derisa të finalizohet ky transaksion – koha dhe vendi i nënshkrimit [të marrëveshjes] do të njoftohen së shpejti”.
Presidenti amerikan gjatë javëve të fundit ka pretenduar se palët e konfliktit kanë qenë afër arritjes së një marrëveshjeje.