Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka festuar rezultatin zgjedhor me mbështetësit në Prishtinë, duke dërguar njëkohësisht edhe një mesazh për opozitën.
Teksa iu drejtua qytetarëve nga sheshi, Kurti tha se institucionet kryesore të shtetit janë në funksion të plotë dhe se të nesërmen qeveria do të jetë normalisht në punë.
“Kosovës nuk i mungon as kryeministri e as presidentja. Nesër në orën 8 të mëngjesit, qeveria dhe zyra e presidentes janë në punë,” deklaroi ai.
Me tone ironike, Kurti tha se shqetësimi i tij kryesor mbetet funksionalizimi i Kuvendit dhe angazhimi i opozitës.
“Jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë sa më shpejt në punë,” u shpreh ai.
Megjithatë, lideri i Vetëvendosjes tha se mbetet i hapur për komunikim dhe bashkëpunim me të gjitha subjektet politike.
“Do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse mbi të gjitha kemi interesin publik,” theksoi Kurti.