Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur në rrjetin social Facebook vizionin e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke e cilësuar atë si periudhën e “transformimit të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës”.
Kurti ka premtuar investime të mëdha në infrastrukturë, duke përmendur ndërtimin e katër hekurudhave të reja dhe pesë digave, me një vlerë që sipas tij tejkalon 400 milionë euro. Ai ka theksuar se këto projekte synojnë të lidhin qytetet, të nxisin zhvillimin ekonomik dhe të krijojnë infrastrukturë të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.
Në fokus të premtimeve të tij ishte edhe rajoni i Drenasit. Kurti njoftoi se në Drenas do të ndërtohet një poliklinikë specialistike, ndërsa në Komoran janë planifikuar investime për ndërtimin e një çerdheje dhe një shkolle profesionale.
“Ne jemi të vendosur, e ju vendosni vetë, dhe bëhemi krejt bashkë. Krejt për shtet, sepse shtet për krejt. 116, qitja pikën!”, ka shkruar Kurti, duke iu referuar numrit zgjedhor të subjektit të tij politik.
Postim i plotë:
Mandati i ri është ai i transformimit të madh ekonomik dhe industrial të Kosovës. Katër hekurudha të reja, pesë diga me investime mbi 400 milionë euro. Shtet që lidh qytetet, zhvillon ekonominë dhe ndërton infrastrukturë për brezat që vijnë.
Në Drenas do të ndërtohet poliklinika specialistike, si dhe çerdhja dhe shkolla profesionale në Komoran. Ne jemi të vendosur, e ju vendosni vetë, dhe bëhemi krejt bashkë. Krejt për shtet, sepse shtet për krejt. 116, qitja pikën!