Një mërgimtar është ballafaquar me një rast të rëndë mashtrimi.
Më 30 maj, ai rezervoi dy bileta në udhëtimin Prishtinë-Shtutgart, nëpërmjet kompanisë “Prishtina Wings”, por që udhëtimi nuk u realizua.
M.Hakaj, ka deklaruar për IndeksOnline se në Aeroportin e Prishtinës u njoftuan se nuk janë në listën e udhëtimit, teksa kompania “inekzistente” kishin shtypur bileta false. Këto bileta, atij i kushtuan 318 euro.
“U mundova të komunikoja me atë pseudo-agjenci, ishte pa qasje. U zhduk edhe nga Facebook-u, bile-bile edhe nga Interneti. Sepse, para se me pagu tiketat e kërkova në Google dhe e gjeta vendndodhjen. Selinë e kishin në Mynih të Gjermanisë. Kurse atë ditë të fluturimit, u zhduk komplet”, deklaroi Hakaj.
Ai shtoi se u detyrua të merrte një tjetër fluturim të nesërmen, më 2 qershor, për në Basel, për të udhëtuar më pas drejt Shtutgartit, në mënyrë që të mos humbiste punën.
