Bajrami për Vjosa Osmanin: Kishim të drejtë për Kurtin që në 2021, këtë e kuptoi në 2026

E pyetur për rikthimin e Vjosa Osmani në LDK, kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e KosovësHykmete Bajrami në ”Click” të RTV21  tha se partia e saj ka mbajtur të njëjtin qëndrim politik ndaj qeverisjes së Albin Kurti, ndërsa sipas saj, të tjerët kanë ndryshuar dhe reflektuar me kalimin e kohës.

Bajrami tutje deklaroi se zhvillimet politike të viteve të fundit kanë dëshmuar se vlerësimet e LDK-së për qeverisjen e Kurtit kanë qenë të sakta.

“Ne kemi mbetur të njëjtit. Të tjerët që na janë bashkuar kanë ndryshuar dhe kanë reflektuar. Kjo është mirë dhe besoj që shumë njerëz do ta shohin këtë ndryshim si pozitiv. Ne kemi pasur të drejtë që në vitin 2021 karshi Kurtit, ndërsa të tjerët e kanë marrë vesh shumë më vonë, në vitin 2026”, deklaroi Bajrami.

Ajo nuk komentoi drejtpërdrejt mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK, por la të kuptohet se zhvillimet politike të viteve të fundit kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimeve dhe qëndrimeve ndaj qeverisjes aktuale.