Analisti politik, Skënder Kapiti, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk përfaqëson të djathtën politike dhe sipas tij, nuk ka as kauzë të djathtë në veprimtarinë e saj aktuale.
“Disa apo ndokush i rrallë nga LDK po mundohen të na mbushin mendjen sikur LDK me Lumir Abdixhikun dhe me Vjosa Osmanin po rilind e djathta në Kosovë. Besoj se ata as nuk e dinë se çfarë është e djathta,” është shprehur Kapiti.
Ai ka shtuar se LDK, sipas tij, nuk ka lindur si parti e djathtë, por është formuar nga një transformim politik i ish-figurave të sistemit komunist në Kosovë.
“Nuk e bëjnë të Djathtë LDK-në as Lumir Abdixhiku dhe a Vjosa Osmani kur ata veprojnë sic i udhëzon kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërsë, Edi Rama”, thekson ai.
“Nuk mund të jetë e djathtë LDK-ja, as në lindje nuk ka qenë e tillë, pasi ajo ishte një konvertim i ish-komunistëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës në Lidhjen Demokratike të Kosovës,” ka thënë ai.
Kapiti ka kritikuar edhe qëndrimet politike të LDK-së ndër vite, duke përmendur siç thotë ai, mungesën e mbështetjes për luftën e armatosur për pavarësi dhe çështje të tjera të ndjeshme politike.
“Nuk mund të jetë parti e djathtë një subjekt politik që përjashtonte sakrificën luftarake për liri,” ka deklaruar ai.
“Nuk është LDK e Djathtë dhe as nuk ka kauzë të Djathtë ajo, kur LDK ka mbi kurriz tradhëtinë e nënshkrimit të Marrveshjes për krijimin e minishtetit serb brënda Kosovës, Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe.Nuk është e Djathtë LDK pasi ajo nuk kundërshton as coptimin e Kosovës.Nuk është e Djathtë LDK-ja Kosovës as me Vjosën dhe Abdixhikun që e cuan Kosovën në zgjedhje të parakohshme, dhe nuk është e Djathtë një organizatë politike shqiptare si LDK e cila gjeneron kriza kundër legjtimitetit dhe vullnetit të popullit”, vlerëson ai.
Sipas Kapitit, LDK nuk ka as program të mirëfilltë kombëtar dhe ekonomik, ndërsa drejtuesit e saj i cilëson si të paaftë për të menaxhuar sfidat politike të vendit.
“Nuk është parti e Djathtë dhe as nacionaliste një parti politike që i interson elitës së saj vetëm posti i deputetit dhe Presidentit, dhe që është krejtësisht e paaftë për të marrë mbi supe vështirësitë dhe që nuk ka as program kombëtar zhvillimor ekonomik, demokratik, juridik e shoqëror.LDK është parti që ka si elitë një elitë dështake dhe dështakësh, intrigantësh, tinëzarësh,dembelësh, servilësh dhe lypsarësh të neveritshë votash”, tha ai.