Haradinaj për Kurtin: E ka sulmuar UÇK-në, e ka kallë Parlamentin

Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili në shpalosjen e programit të VV-së për zgjedhjet e 7 qershorit, premtoi mbështetje institucionale për kategoritë e dala nga lufta.

 

Në një prononcim për Klankosova.tv, Haradinaj tha se si deklaratë duket e mirë, megjithatë këtë premtim, ai e llogarit si fushatë pasi, siç tha, nuk i besohet një njeriu që e ka sulmuar UÇK-në.

“Si deklaratë duket e mirë dhe e mirëpret çdokush. Por, sa i besohet një njeriu që e ka sulmuar UÇK-në, ka rrahur policë, e ka kall Parlamentin? I njëjti që gjashtë vjet i ka injoruar kategoritë e dala nga lufta. Nuk e di sa bindëse do të jetë për ata që e dëgjojnë. Unë e llogaris fushatë”, tha ai.

Ndër të tjera, Haradinaj tha se në gjashtë vjet, Qeveria Kurti nuk ka realizuar asnjë zotim ndaj kategorive të dala nga lufta, madje, sipas tij, kryeministri në detyrë, ka arritur të demonizojë veteranët, luftëtarët e lirisë dhe vlerat më sublime që duhet t’i ketë një popull.

“Çka ka arrit me realizu ai është demonizimi i veteranëve, demonizimi i luftëtarëve të lirisë dhe demonizimi i vlerave më sublime që një popull duhet t’i ketë”, u shpreh ish-luftëtari i UÇK-së.