Nesër dalin pagesat për këto kategori

Lajm i mirë për familjet në Kosovë – nesër pritet të ekzekutohen shtesat për fëmijë për muajin maj, ku mijëra familje përfituese do t’i marrin mjetet në llogaritë e tyre bankare.

Sipas informacioneve që kanë qarkulluar ditëve të fundit lidhur me kalendarin e pagesave sociale, ekzekutimi i shtesave pritet të bëhet gjatë së hënës, ashtu siç ndodh zakonisht me pagesat mujore për kategoritë përfituese.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka premtuar edhe mbështetje shtesë prej 100 euro për të gjithë fëmijët që janë pjesë e skemës së shtesave për fëmijë. Ky vendim është marrë në kuadër të “Pakos për përballje me inflacionin 2.0”, e cila përfshin edhe pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi i qeverisë është që këto pagesa të realizohen sa më shpejt, ndërsa ministri i Financave ka bërë të ditur se për fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasi institucionet tashmë posedojnë listat e përfituesve.

Kujtojmë se shtesat për fëmijë janë rritur edhe më herët nga qeveria, ku aktualisht përfitojnë rreth 400 mijë fëmijë në të gjithë Kosovën.