Kush po e rrezikon Kosovën? Musliu me deklaratë të fortë: Ja çfarë po ndodh në skenën politike!

Në Kosovë, zhvillimet politike gjatë periudhës së fundit kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh të tensionuara, të shoqëruara me përplasje ndërmjet subjekteve politike dhe debate të forta rreth funksionimit të institucioneve.

Proceset zgjedhore dhe vendimmarrja institucionale kanë ndikuar drejtpërdrejt në klimën politike, duke e bërë skenën politike dinamike dhe shpesh të polarizuar.

 

E në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili tha se pavarësisht bllokadave të vazhdueshme, opozita nuk po arrinë ta largojë Kurtin nga qeveria.

Sipas tij, kjo ndodh për shkak se Kurti dhe LVV, që nga viti 2019 kanë marrë besimin e fuqishëm të qytetarëve.

 

“Edhe përkundër obstruksioneve të vazhdueshme të opozitës kundër Qeverisë Kurti, bllokadave sistematike për votimin e ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe jo vetëm, sabotimeve arrogante për formimin e institucioneve më vitale shtetërore, respektivisht Kuvendit, Qeverisë dhe së fundi Presidentit të Kosovës, prapëseprapë opozita nuk po ia del ta rrëzojë nga qeverisja kryeministrin Kurti. Kjo nga fakti se sovrani, që nga viti 2019, në disa procese zgjedhore, qoftë parlamentare apo komunale, gjithnjë e më shumë votën po ia beson LVV-së dhe Albin Kurtit, të cilët i konsideron si gardianë të vërtetë që garantojnë interesat e qytetarëve dhe shtetit”.

ImageSkënder MusliuFoto galeri
Mirëpo, krahas kësaj, Musliu shtjelloi faktorët kryesor që po e rrezikojnë Kosovën.

Së pari, ai theksoi se rreziku vjen nga faktorë të brendshëm politikë dhe institucionalë, të cilët, sipas tij, përmes gjuhës së ashpër politike dhe akuzave, e paraqesin Kurtin si autokrat dhe dëmtojnë imazhin e qeverisë.

Ai përmendi edhe rolin e mediave, duke shtuar se disa prej tyre, përmes emisioneve debative dhe raportimeve, ndikojnë në krijimin e narrativave kundër qeverisë.

“Sëkëndejmi, shtrohet pyetja se kush po e rrezikon Kosovën!? Në gjykimin tim, janë tre faktorë determinues që paraprijnë dhe mbajnë peshën kryesore:

Faktori i parë është i brendshëm, që vjen nga subjekte politike, personazhe dhe protagonistë të ndryshëm që veprojnë brenda Kosovës. Këtu bën pjesë opozita, e cila me gjuhë denigruese, polarizuese, me shpifje dhe mashtrime nxit urrejtje duke e paraqitur kryeministrin Kurti si një autokrat dhe diktator që po dëmton interesat e Kosovës. Konsideroj se këto janë kauza të rrejshme dhe trillime për ta degraduar punën më të mirë dhe më të suksesshme të një qeverie që ka pasur Kosova që nga paslufta. Në këtë kuptim, efekte negative dhe nxitje destruktive po shkaktojnë disa media të Kosovës, të cilat në mënyrë sistematike nëpër emisione “debatore”, në mënyrë të shfrenuar bëjnë propagandë të pistë duke dezinformuar opinionin me lajme të rreme. Përmes të ashtuquajturve gazetarë, analistë apo opinionistë mercenarë, janë prodhuar influencues të specializuar, enkas për krijimin e një narrative kundër Qeverisë Kurti”.

Po ashtu, Musliu u ndal edhe te Edi Rama, duke e lidhur me qëndrimet e tij ndaj Kurtit dhe raportet rajonale, si dhe te organizata të ndryshme që, sipas tij, dërgojnë raporte të pasakta në mekanizma ndërkombëtarë për Kosovën.

“Mos të harrojmë rolin dhe kontributin destruktiv, antikombëtar dhe armiqësor të kryeministrit Edi Rama, i cili që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, në mënyrë të ligë dhe të paskrupullt u bë avokat i fuqishëm i A. Vuçiqit, duke ia mbrojtur interesat dhe krimet e tij. Rama në çdo konferencë ndërkombëtare, samit dhe takime me homologët e tij dhe diplomatët e huaj, në vend që t’i mbronte interesat e Kosovës dhe veprimet politike të Albin Kurtit, ka lobuar për ndarjen e Kosovës, duke dashur që pasuritë vitale t’ia falë Serbisë.

Nuk mungojnë edhe disa OJQ, të cilat kritikojnë qeverisjen e kryeministrit Kurti, por edhe më e keqja, ato përmes raporteve që ia dërgojnë organizatave dhe mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, i dezinformojnë ato, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës, duke e paraqitur atë si shtet hibrid dhe të paqëndrueshëm. Edhe OVL-UÇK-të rregullisht tregojnë armiqësi ndaj Qeverisë Kurti, duke shpërndarë lajme të rreme, kinse kryeministri Kurti është kundër UÇK-së, edhe pse botërisht dihet se kjo nuk është e vërtetë. Madje vetë organizatat e dala nga lufta me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëme të pakthyeshme Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke i përkrahur kriminelët e luftës dhe duke i lënë anash interesat e veteranëve të vërtetë që vuajnë dhe jetojnë në kushte mizore, kurse për vete kanë përfituar qindra hektarë tokë përmes plaçkitjes”, vlerësoi ai.

Në vazhdim, ai foli edhe për ndikimin e Serbisë, duke e cilësuar atë si faktor të jashtëm destabilizues, si dhe për strukturat dhe aktivitetet që, sipas tij, kanë ndikuar në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Kësisoj, ai përmendi edhe disa nga aktivitetet agresive e destabilizuese që Beogradi i ka bërë ndaj Kosovës, kur në qeveri ishte Kurti.

“Faktori i dytë është i jashtëm, respektivisht vjen nga armiku shekullor, Serbia, e cila po ashtu që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Kurti, asnjëherë nuk e ka ndalur aktivitetin agresiv për destabilizimin e Kosovës përmes strukturave paralele dhe kriminale serbe. Përveç BIA-s, inteligjencës ruse, strukturave paramilitare dhe parapolicore serbe që janë instaluar në pjesën veriore të Kosovës dhe jo vetëm, kanë vepruar edhe “Brigadat e Veriut” dhe “Rojet e Urës”, të dirigjuara nga Beogradi dhe të koordinuara nga Lista Serbe, të cilat në mënyrë të sinkronizuar punonin në bllokimin dhe sabotimin e krijimit të institucioneve shtetërore. Në këtë kuptim, Serbia organizoi, financoi dhe realizoi agresionin mbi Kosovën me aktin terrorist në Banjskë dhe më vonë edhe me dëmtimin e kanalit Ibër–Lepenc, si infrastrukturë kritike dhe vitale për furnizimin me ujë të popullatës, industrisë dhe bujqësisë”.

Në fund, Musliu theksoi se ekziston edhe një faktor i tretë i përzier, që lidhet me bashkëpunimin e brendshëm dhe ndikimin e jashtëm, duke pretenduar se Serbia ka arritur ndikim përmes bashkëpunëtorëve brenda vendit.

Në këtë rast, u tregua kritik për ata, që sipas tij bashkëpunuan me qeverinë e Beogradit ndër vite.

“Faktori i tretë është i përzier, respektivisht ndërlidhet me faktorin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Kjo do të thotë se Serbia, për ta ushtruar ndikimin e saj destruktiv, ka gjetur bashkëpunëtorë shqiptarë, të cilët janë të kapur dhe të shantazhuar me dosje kriminale nga Serbia, që i qëndrojnë lojalë politikave dhe interesave të Serbisë. Dhe sikur të mos ishin këta shërbëtorë, Serbia asnjëherë nuk do të mund ta kishte ndikimin e fortë siç e ka tani mbi Kosovën. Këtë e vërteton fakti se në gjykatat e Kosovës ka disa procese gjyqësore ndaj shqiptarëve që po gjykohen për spiunim në favor të Serbisë. Edhe investigimet që janë bërë kohëve të fundit kanë zbuluar se disa media, deputetë, avokatë dhe politikanë të ndryshëm janë paguar nga Serbia për destabilizimin e Kosovës. Këtë e vërteton edhe deklarata e një politikani serb, Nenad Çanak, i cili për një televizion të Beogradit kishte deklaruar se A. Vuçiqi, për rrëzimin e kryeministrit Kurti, kishte investuar 1 miliard e gjysmë euro”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.