Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka akuzuar Malin e Zi për “importimin” e klaneve kriminale në Serbi, vetëm një ditë pas arrestimit të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq, i dyshuar për fshehjen e një vrasjeje të lidhur me krimin e organizuar.
Ndërsa opinioni publik në Serbi pret përgjigje për arrestimin dhe shkarkimin e kreut të policisë së kryeqytetit, Vuçiq e zhvendosi vëmendjen drejt Malit të Zi, duke pretenduar se “klanët kriminale nga Kotorri e kanë vrarë gjysmën e Serbisë”.
Autoritetet në Podgoricë nuk kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave. As Qeveria e Malit të Zi dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Deputeti opozitar malazez, Nikola Zirojeviq, i cilësoi deklaratat e Vuçiqit si të papërshtatshme dhe ironizoi qasjen e presidentit serb ndaj Malit të Zi.
“Nëse e pyet Vuçiqin, të gjithë ne në Mal të Zi jemi serbë, vetëm kriminelët qenkan malazezë”, tha ai.
Sipas Zirojeviqit, pyetja kryesore nuk është pse individë nga Mali i Zi kanë operuar në Serbi, por pse Serbia është parë si territor i favorshëm për aktivitet kriminal.
“Ndoshta përgjigjja duhet kërkuar brenda kufijve të Serbisë dhe tek pushteti ekzekutiv serb”, deklaroi ai.
Në qendër të skandalit është ish-shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, i arrestuar nën dyshimet se ka ndihmuar në fshehjen e një vrasjeje në një restorant të Beogradit. Prokuroria dyshon se ai kishte telefonuar viktimën dhe e kishte bindur të vinte pa sigurim personal, ndërsa në lokal ndodheshin edhe personat e dyshuar për vrasjen.
Trupi i viktimës ende nuk është gjetur, ndërsa në kërkime është përfshirë edhe ushtria serbe.
Megjithatë, gjatë paraqitjes publike pas arrestimit të Miliqit, Vuçiq nuk dha shumë detaje për rastin, por foli gjerësisht për klanet kriminale malazeze.
Avokati dhe ish-ministri serb i policisë, Bozho Preleviq, vlerësoi se deklaratat e Vuçiqit janë përpjekje për të larguar vëmendjen nga ajo që ndodhi në Beograd.
“Shteti duhet të shpjegojë si ndodhi një vrasje e rëndë në një restorant pothuajse të mbyllur për publikun dhe pse u arrestuan pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme”, tha ai.
Vuçiq përmendi edhe klanet famëkeqe “Kavaç” dhe “Shkaljar”, dy grupe kriminale nga zona e Kotorrit që prej vitit 2014 janë përfshirë në përplasje të përgjakshme në rajon dhe Europë.
Gazetari hulumtues, Vuk Cvijiq, tha se grupet kriminale serbe dhe malazeze janë të përziera dhe bashkëpunojnë mes vete.
“Nuk mund të ndahen sipas kombësisë. Shumë prej tyre kanë pasaporta të të dyja shteteve”, deklaroi ai.
Sipas tij, fakti që këto grupe kanë vepruar në Serbi tregon se aty janë ndier të sigurta.
Vuçiq përmendi edhe emrin e Milosh Medenica, i dënuar në Mal të Zi për krim të organizuar dhe aktualisht në arrati, duke pretenduar se ai po mbrohet nga klani i Kavaçit në territorin malazez.
Policia malazeze më herët kishte deklaruar se videot e publikuara nga Medenica në rrjetet sociale mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale, megjithëse ekspertët thanë se nuk ka prova të mjaftueshme për këtë pretendim.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë edhe në prag të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Presidenti serb refuzoi të marrë pjesë në festimet zyrtare dhe deklaroi se do të ishte “turp” për të të festonte ndarjen e Malit të Zi nga Serbia.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi i cilësoi këto deklarata si politikisht të papërgjegjshme. /REL