Reagon sërish mërgimtari Naser Xhylani: Kush do konflikt me mua, do t’a merr…

Naser Xhylani ka reaguar ashpër pas, siç thotë ai, sharjeve, fyerjeve dhe kërcënimeve që ka marrë pas publikimit të videos së tij të fundit në rrjetet sociale, duke publikuar një reagim të gjatë me titull “Reagim zyrtar dhe replikë troç fare”.

 

Në deklaratën e tij, Xhylani tha se kjo është “përgjigjja e parë dhe e fundit” për të gjithë ata që e kanë sulmuar publikisht pas videos së publikuar.

“Së pari, unë nuk kam kërcënuar askënd. Unë kam thënë vetëm të vërtetën e zhveshur. Dhe këtë të vërtetë nuk ia them vetëm ‘Daut Radoiçiqit’, por çdo Radoiçiçi tjetër që sillet vërdallë. Unë nuk fshihem pas gishtit; gjërat i them troç dhe ballë për ballë”, shkroi ai.

Xhylani paralajmëroi se, sipas tij, “shumica e kësaj opozite, herët a vonë, do të përballet me drejtësinë”, ndërsa përmendi edhe Kanunin në reagimin e tij.

“Së dyti, mbajeni mend mirë: shumica e kësaj opozite, herët a vonë, do të përballet me drejtësinë. E disave prej tyre, nesër a pasnesër, mund t’u duhet të përballen edhe me Kanunin. Kjo është një gjë shumë e thjeshtë për t’u kuptuar në tokën tonë – sepse askush nuk e fal gjakun e derdhur”, deklaroi ai.

Më tej, ai iu drejtua personave që, sipas tij, “mbajnë anën e errët të tradhtarëve”.

“Atyre që ende mbajnë anën e errët të tradhtarëve, atyre që u tallën me këtë popull e me këtë vend për më shumë se 20 vite, po u them vetëm një gjë: As nuk më frikësoni, as nuk më bëni mbresë! Sharjet tuaja nuk më prekin, e aq më pak kërcënimet tuaja boshe. Unë do të vazhdoj të shkruaj dhe të them të vërtetën, e juve ‘pika topit’ ju bëftë”, shkroi Xhylani.

Ai reagoi edhe ndaj komenteve që lidhen me faktin se aktualisht jeton jashtë Kosovës.

“E shoh që disa po merren me faktin se jam jashtë Kosove dhe ‘nuk mund të kthehem’. Ajo është një çështje krejtësisht personale e imja. Por për besë, sa për ju që trimëroheni këtu në Facebook, syri vërr nuk më bën fare”, u shpreh ai.

Në deklaratën e tij, Xhylani tha se nuk ka asgjë personale me askënd, por paralajmëroi reagim në rast të konflikteve personale.

“Unë nuk kam asgjë personale me askënd, por nëse dikush kërkon konflikt personal, do të dijë të marrë edhe përgjigjen e merituar personale”, deklaroi ai.

Ai shtoi se kushdo që dëshiron mund të paraqesë ankesë ndaj tij në institucionet e drejtësisë.

“Nëse doni, mund të ankoheni ku të doni – në polici e në prokurori. Videoja ime flet vetë, ajo është dëshmi e pastër e asaj që mendoj dhe asgjë më shumë”, shkroi ai.

Xhylani reagoi edhe ndaj raportimeve në portale lidhur me të, duke thënë se nuk është person që “masakrohet apo thyhet lehtë”.

“Lexova diku nëpër portale se ‘masakrohet Naser Xhylani’. O njerëz të vegjël, unë nuk jam djalë që masakrohem apo thyhem lehtë! Askujt nuk i kam hyrë në hak, askujt nuk i kam prekur moralin. Ndërsa për të thënë të vërtetën, do ta them deri në frymën time të fundit, pa më dridhur qerpiku fare”, deklaroi ai.

Në fund, Xhylani bëri të ditur se reagimin e ka publikuar nga një faqe tjetër, pasi faqja e tij kryesore në Facebook, sipas tij, është penalizuar për shkak të raportimeve ndaj postimeve dhe komenteve të tij.