Tensione të mëdha dhe përplasje të ashpra janë raportuar brenda strukturave të Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë diskutimeve për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme.
Burime brenda partisë bëjnë të ditur se mbledhjet dhe konsultimet e fundit janë shoqëruar me britma, piskama dhe fjalor të ashpër mes figurave të ndryshme të partisë, pasi pakënaqësitë kanë shpërthyer rreth renditjes së kandidatëve në listë.
Sipas këtyre burimeve, pakënaqësia më e madhe lidhet me faktin se disa ish-deputetë dhe figura të afërta me Guxo janë vendosur në mesin e 10 emrave të parë të listës, duke lënë prapa shumë anëtarë të vjetër dhe aktivistë të kahershëm të LDK-së.
Kjo situatë thuhet se ka revoltuar një pjesë të madhe të strukturës tradicionale të partisë, të cilët kanë kërkuar sqarime se si figura që kanë ardhur së fundmi po favorizohen para njerëzve që, sipas tyre, kanë mbajtur partinë për vite me radhë.
Burimet tregojnë se në disa momente debatet kanë dalë jashtë kontrollit, me akuza të ndërsjella dhe tone të larta, duke reflektuar krizën e brendshme që po e shoqëron procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.
Ndërkohë, pakënaqësitë brenda LDK-së pritet të thellohen edhe më shumë në ditët në vazhdim, pasi shumë figura të vjetra të partisë po e konsiderojnë këtë listë si “anashkalim” dhe “goditje” ndaj kontributit të tyre shumëvjeçar në subjekt.