Hykmete Bajrami ka reaguar pasi u bë pjesë e listës së Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se renditja në listë nuk përbën problem për të dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në LDK pavarësisht rrethanave politike.
Bajrami ka bërë të ditur se në listën zgjedhore është renditur me numrin 12, ndërsa ka theksuar se LDK-ja është “më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë”.
Ajo ka rikujtuar se është zgjedhur deputete shtatë herë dhe se asnjëherë nuk e ka braktisur partinë për interesa personale.
“Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka thënë se është vendosur në listë pas disa personave që, sipas saj, “deri dje e kanë luftuar LDK-në”, por ka shtuar se beteja e saj nuk lidhet me renditjen apo fitoret personale.
Sipas Bajramit, kauza e saj mbetet një Kosovë me institucione të forta, ku politika i shërben qytetarit dhe jo interesave personale.
Në fund të reagimit, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të LDK-së që të analizojnë listën prej 110 kandidatëve dhe më 7 qershor të votojnë për LDK-në.
Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë. Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik. Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale. Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë. Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston. Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK!