Analisti politik Shemsi Jashari ka thënë se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po vazhdojnë mospajtime të thella për mënyrën e qeverisjes dhe drejtimin e partisë.
Sipas tij, rikthimi i Vjosa Osmanit ka rritur përplasjet mes lidershipit dhe anëtarësisë tradicionale, duke krijuar paqartësi për të ardhmen e partisë.
Ai ka shtuar se ky zhvillim mund të ndikojë më shumë në përfitimin elektoral të Albin Kurti sesa në forcimin e LDK-së, ndërsa brenda partisë mbetet edhe pakënaqësi për dëmet e së kaluarës politike.
“Të gjithë e dinë se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mospajtime të mëdha për mënyrën se si po qeveriset kjo parti nga brenda. I gjithë ky diskutim po zhvillohet në një klimë paqartësie për mënyrën se si do të vazhdojë më tej LDK-ja.Pra, ekziston një mospërputhje mes lidershipit dhe anëtarësisë tradicionale, e cila është thelluar sidomos me rikthimin e Vjosa Osmani dhe me rrugëtimin e saj pesëvjeçar me Albin Kurtin, që në një periudhë ishte kundër LDK-së.
Një pjesë e LDK-së e ka pritur me entuziazëm rikthimin e saj, megjithatë në afat të shkurtër ky zhvillim mund të ndikojë më shumë në votat që merr Kurti, për shkak të perceptimit të krijuar nga premtimi i dikurshëm “Ne të dy bashkë do ta bëjmë mrekullinë”, sesa të sjellë rritje të dukshme për LDK-në”, tha ai.
“Po ashtu, ekziston bindja se mbështetësit e LDK-së nuk do ta falin lehtë dëmin e perceptuar që i është shkaktuar partisë nga këto zhvillime.
Mungesa e figurave si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami shihet si sinjal i qartë i problemeve brenda strukturave të partisë. Slogani “Vjosa për presidente dhe Lumiri për kryeministër” vlerësohet si përpjekje për të riprodhuar modelin e zgjedhjeve të vitit 2021, por mbetet i diskutueshëm për shkak të sfidave të brendshme që po e shoqërojnë partinë”, shtoi Jashari për Expose, prodhim i GazetaBlic.
Intervista e plotë: