Nga 100 euro do të ndahen për këta persona – ja kush përfiton

Komuna e Gjilanit ka marrë vendim që gjatë vitit 2026 të ofrojë mbështetje financiare për nënat lehona, duke ndarë nga 100 euro për çdo fëmijë të lindur brenda këtij viti.

 

Me këtë iniciativë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bazë të vendimit të kryetarit Alban Hyseni, ka hapur thirrjen publike për aplikim. Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se të gjitha lehonat që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë duke dorëzuar dokumentet e kërkuara sipas kushteve të përcaktuara.

Drejtoresha e kësaj drejtorie, Mimoza Kadriu Qerimi, ka inkurajuar nënat që të aplikojnë në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, ku edhe realizohet procesi i aplikimit. Ajo theksoi se kjo mbështetje synon të lehtësojë sadopak barrën financiare të familjeve për çdo lindje gjatë vitit 2026.

Sipas njoftimit, subvencioni vlen për të gjithë fëmijët e lindur nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026. Ndërkohë, në këtë skemë nuk përfshihen fëmijët që kanë lindur jashtë territorit të Kosovës.