Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, Isuf Cikaqi, ka bërë të ditura disa nga masat e reja mbështetëse për sektorin e bujqësisë, duke theksuar rritjen e subvencioneve në disa degë kyçe të prodhimit bujqësor.
Sipas tij, sektori i pemtarisë do të përfitojë nga mbështetje direkte për prodhuesit e fidanëve, ku do të aplikohet pagesa prej 0.15 euro për çdo fidan të prodhuar. Ndërkohë, në vreshtari, fermerët do të përfitojnë 900 euro për hektar, përveç pagesës bazike prej 150 euro për hektar që u jepet fillimisht.
Një tjetër risi është subvencionimi i prodhimit të verës, ku do të ndahen 0.08 euro për çdo litër të prodhuar, duke synuar nxitjen e industrisë së përpunimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.
Po ashtu, mbështetje do të ketë edhe për sektorin e perimeve. Sipas Cikaqit, perimet do të subvencionohen me 350 euro për hektar, ndërsa për ato që kultivohen në kushte më intensive, si në fushë të hapur apo në serra, subvencioni do të arrijë deri në 500 euro për hektar.
Këto masa, sipas zyrtarëve, synojnë rritjen e prodhimit vendor, përkrahjen e fermerëve dhe forcimin e sektorit bujqësor në vend.