Ideja e një “të djathte të bashkuar” në skenën politike kosovare duket se po përballet me krisje serioze, pasi burime brenda strukturave partiake bëjnë të ditur për një ftohje të dukshme të raporteve ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, raporton Gazeta Minuti.
Sipas këtyre burimeve të Gazeta Minuti, tensionet kanë ardhur si pasojë e pakënaqësive të kohëve të fundit lidhur me emërimet e reja të drejtorëve në Komunën e Prishtinës, duke krijuar pakënaqësi që kanë reflektuar drejtpërdrejt në raportet mes dy figurave kryesore.
Brenda partisë, këto zhvillime po interpretohen si një sinjal i qartë se bashkëpunimi i brendshëm nuk është në nivelin e pritur, pavarësisht retorikës publike për unitet dhe koordinim politik. Burime të afërta me zhvillimet tregojnë se komunikimi mes Abdixhikut dhe Ramës nuk është më ai i mëparshmi, shkruan Gazeta Minuti.
Në anën tjetër, zyrtarisht nuk ka pasur deklarata që konfirmojnë përçarjen, megjithatë heshtja e palëve dhe mungesa e daljeve të përbashkëta publike kanë shtuar spekulimet për një krizë të brendshme.