Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar dhe ka treguar se si shkon procedura e rundeve për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Pasi të hënën dështoi seanca e jashtëzakonshme për president, pasi opozita nuk mori pjesë dhe të njëjtën e quajtën antikushtetuese, Hasani tha se e njëjta nuk numërohet dhe nuk mund të vazhdohet me rundin e dytë sot.
“Në momentin që e ka parë që në kuti nuk janë 2/3, ky rund nuk ekziston, domethënë nuk mund të shkohet në rund të dytë. Duhet të nisë nga fillimi, seanca e [mbrëmshme] nuk mund të kalojë në rund të dytë”, tha ai në Klan Kosova.
Ai shtoi se gabimi më i madh i opozitës në këtë zhvillim do të ishte dërgimi i seancës për presidentin në Gjykatën Kushtetuese.
“Gabimin më të madh e bën opozita në qoftë se e çon këtë çështje në Kushtetuese. Është abuzim klasik në mënyrën më primitive të mundshme”, deklaroi Hasani.
Sot me fillim nga ora 10:00 Kuvendi do të mblidhet përsëri për çështjen e presidentit, ndërsa VV ka propozuar dy emra të ri për kandidate për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.