Lëvizja Vetëvendosje ka nisur dhe konsumuar raundin e parë të procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndonëse me vetëm 66 deputetë. Ky veprim përbën shkelje të rëndë kushtetuese, pasi është bërë pa korum të nevojshëm dhe mbi këtë çështje ekziston edhe aktgjykim që përcakton mënyrën e zhvillimit të procedurës.
Seanca e jashtëzakonshme ishte thirrur sot pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Haxhiu njoftoi më herët se kishte pranuar kërkesën për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, e cila u caktua për në orën 20:30.
Në kuadër të kërkesës ishin propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Më herët, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku njoftuan tërheqjen nga kandidatura për president.
Seanca paraprake u shoqërua me akuza të ashpra të anëtarëve të Vetëvendosjes ndaj opozitës, të cilën e akuzuan për bllokadë të procesit të zgjedhjes së presidentit.
Kryeministri Albin Kurti akuzoi opozitën se po refuzon kompromiset e ofruara nga ta. Ai pretendoi se Vetëvendosje është e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e pozitave institucionale, por sipas tij opozita nuk po i pranon ofertat.
“Ne po dojmë ta zvogëlojmë pushtetin tonë, ata s’po na lanë”, deklaroi Kurti.
Kurti pretendoi se pushteti i kishte ofruar opozitës edhe mundësinë që të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit ose të propozojë kandidatin për president, me mbështetjen e nënshkrimeve të nevojshme nga Vetëvendosje.