Kur Lëvizja Vetëvendosje deklaronte vazhdimisht se ishte e gatshme ta votonte një kandidat të LDK-së nëse kjo e fundit i siguronte 15 nënshkrime, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka bërë lëvizjen të fundit.
Ai ka prezantuar zyrtarisht listën me 15 firma, duke kërkuar fundin e lojërave politike.
Abdixhiku ka zgjedhur të flasë me fakte. Ai tha se LDK-ja nuk luan me institucionet, por vepron me seriozitetin që kërkon posti i Presidentit.
“LDK gjithmonë i ka pasur 15 nënshkrimet dhe kandidatin e propozuar. Meqenëse e ngritët këtë pyetje, ja ku janë 15 nënshkrimet e LDK-së dhe besoj që kjo duhet ta përmbyllë gjithë debatin politik në Kosovë“, deklaroi Abdixhiku, raporton Insajderi.
Kreu i LDK-së sqaroi se pse këto nënshkrime nuk u bënë publike më herët.
“Këto nënshkrime s’kam dashur t’i bëja pjesë të lojërave politike sepse janë serioze. LDK-ja vepron në mënyrë institucionale; nuk propozojmë diçka që s’mund t’i qëndrojmë prapa politikisht”, tha Abdixhiku.