Një përçarje e thellë duket se ka përfshirë së fundmi Lidhjën Demokratike të Kosovës, më konkretisht kreun e partisë Lumir Abdixhikun dhe kreun e Prishtinës, Përparim Rama, raporton Gazeta Minuti.
Burime të Gazeta Minuti brenda partisë flasin për krijimin e dy grupeve të ndara që po rivalizojnë njëra-tjetrën për ndikim dhe kontroll politik.
Sipas këtyre burimeve, njëri grup udhëhiqet nga kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa krahu tjetër është rreshtuar përreth kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Përplasjet mes dy palëve thuhet se kanë qenë të vazhdueshme dhe janë thelluar sidomos në javët e fundit.
Tensionet kanë reflektuar drejtpërdrejt edhe në qeverisjen lokale në kryeqytet.
Burimet e Gazeta Minuti bëjnë të ditur se ndarja mes dy kampeve ka ndikuar edhe në vendimmarrje konkrete, duke sjellë ndryshime në disa pozita drejtuese në komunën e Prishtinës, përfshirë zëvendësime të drejtorëve në sektorë kyç.
Këto zhvillime po interpretohen si sinjal i një krize më të thellë politike brenda LDK-së, e cila rrezikon të ndikojë jo vetëm në funksionimin e brendshëm të partisë, por edhe në stabilitetin e qeverisjes lokale në kryeqytet.
Deri më tani nuk ka pasur reagime zyrtare nga drejtuesit e lartë të LDK-së lidhur me këto raportime, ndërsa mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo përçarja do të thellohet edhe më tej.