Befasi, befasi! Zbulohet emri konsensual i Kurtit për President

Kryeministri Albin Kurti ka vendosur ta sfidojë LDK-në deri te propozimi i një anëtari të kësaj partie për President të Republikës. Fjala është për Haki Demollin e LDK-së, i cili ka qenë ministër dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

 

Demolli është edhe profesor i Universitetit të Prishtinës, në të njëjtin fakultet ku asistente është Vjosa Osmani.

Dy burime të gazetes online Reporteri.net, brenda udhëheqjes së Vetëvendosjes, kanë konfirmuar se Demolli është emri i Albin Kurtit për President konsensual, sipas kritereve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, që të propozohet dikush që nuk është në kryesi të partive, që nuk ka profil të lartë partiak dhe që është përbashkues.

I kontaktuar nga Reporteri.net, Demolli e ka dëgjuar pyetjen që i është përsëritur tri herë nëse është kontaktuar nga Kurti dhe Vetëvendosje për kandidaturë konsensuale për president, por ka thënë se s’ka kurrfarë deklarate për këtë temë.

 

“Po më vjen keq, por nuk jam i gatshëm për deklarime të tilla, po e sheh çfarë situate është”, ka thënë Demolli.

“Kurrfarë deklarate nuk kam në atë drejtim”, ka shtuar ai kur është pyetur nëse është kontaktuar nga Kurti dhe VV për të marrë miratimin e tij për kandidat për president.

Burime të gazetës online Reporteri.net kanë treguar se për emrin e Haki Demollit si kandidat konsensual për President kanë dëgjuar edhe së paku disa prej udhëheqësve të LDK-së, përfshirë kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Hazirin e Anton Qunin.

Sot, Albin Kurti doli me kërkesë drejtuar opozitës që të propozojë tre emra për president konsensual, në mënyrë që nga gara të tërhiqen dy kandidatët e Vetëvendosjes.

“Ata [opozita] duhet të na sjellin kandidatë jashtë skenës politike, me kontribut në shoqëri. Janë dy parti më të vjetra dhe figurat senior i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë e sakrifikojnë. Nuk mund të thonë që këto dy parti nuk mund të dalin me tre emra”, deklaroi Kurti të shtunën.

Nga PDK-ja, kërkesa e VV-së, ka marrë përgjigje negative. Derisa, nga LDK-ja kanë ironizuar me ofertën e Kurtit, përmes Besian Mustafës.

“Për PDK-në kjo çështje është e mbyllur. Nuk është ofertë kjo. Aspak nuk është serioze”, ka njoftuar kryetari Bedri Hamza