Reagon vëllai i Gani Gecit, e tregon emrin e deputetit të VV-së që ia ka shkruar fjalimin Fatos Gecit

Një deklaratë që pritet të nxisë reagime në skenën politike është bërë publike nga Nehat Geci, vëllai i Gani Geci dhe axha i deputetit Fatos Geci.

Përmes një rrëfimi publik, ai ka pretenduar se fjalimi i mbajtur nga nipi i tij në Kuvend nuk është shkruar nga vetë deputeti, por nga një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme rreth orës 13:50, teksa ndodhej në një kafiteri në Skenderaj së bashku me dy nipërit e tij, Artonin dhe Festimin. Në atë moment, Nehat Geci thotë se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Fatos Geci.

“Gjatë një bisede telefonike me Fatosin, ai më tregoi personalisht se fjalimin që ka mbajtur në Kuvend ia ka shkruar deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, të cilin unë në fakt nuk e njoh fare”, ka deklaruar ai.

Më tej, Nehat Geci ka bërë të ditur se pas kësaj bisede ka kërkuar informacione shtesë për personin në fjalë dhe ka gjetur edhe një fotografi të tij.

Ai thekson se përmbajtja e kësaj bisede është dëgjuar edhe nga dy nipërit e tij që ndodheshin në tavolinë në momentin e telefonatës, duke shtuar se “kjo është e vërteta e kësaj historie”.

Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Fatos Geci apo nga Ilir Kërçeli lidhur me këto pretendime.