Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se deri më tani nuk ka një ofertë konkrete nga Albin Kurti lidhur me takimin e mundshëm ndërmjet partive, përveç disa propozimeve për data dhe orare.
Haliti në një prononcim për GazetaBlic, theksoi se kërkesa e PDK-së është e qartë se çdo ofertë duhet të paraqitet me shkrim dhe të përmbajë pikat që do të diskutohen, në mënyrë që të shqyrtohet edhe në kryesinë e partisë.
“Albin Kurti ka dërgu mesazh kryetarit të partisë, ia ka caktu disa data se kur dhe kohën kur mund të takohen, por kërkesa e kryetarit të PDK-së është që oferta të bëhet me shkrim dhe kërkesa për takim të ketë një përmbajtje që do diskutohet edhe në kryesinë e partisë. Deri tani nuk ka dicka që mund të them unë, kështu që mbesim me trajtu këtë cështje edhe politikisht pa ftesë edhe me ftesë nëse ka”, tha ai.
Duke folur për çështjen e presidentit, Haliti u shpreh se duhet një marrëveshje politike paraprake.
Ai tha se nëse pranohet kërkesa e PDK-së që kandidati të jetë nga kjo parti ose i propozuar prej saj, atëherë mund të ketë zhvillime të reja.
“Çështja e kandidatit, unë them që duhet të ketë një marrëveshje politike paraprakisht, nëse kërkesa e PDK-së pranohet që të jetë një kandidat nga Partia Demokratike, ose i propozuar nga PDK, në qoftë se jo atëherë PDK do duhej dhe duhet të trajtoj çështjen jo vetëm për interesat e PDK-së por ta trajtoj çështjen në aspektin e gjithë interesave që kanë të bëjnë me Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës”, shtoi ai.
Ndër të tjera, Haliti thotë se për të krijuar një klimë më të qëndrueshme politike në vend, opozita duhet të ketë kandidatin e saj, jo thjesht për interesa partiake, por një figurë që garanton funksionimin kushtetues dhe harmoninë institucionale në vend.
“Thotë një analizë që nëse shkojmë në zgjedhje të reja se cka ndodhë dhe pse duhet të shkojmë në zgjedhje të reja ose a duhet me mbështet një kandidat që e propozn LVV ose një kandidat që bisedojnë VV-LDK, sepse kështu po diskutohet. Kanë diskutu mes vete në disa takime që i kanë mbajtë edhe VV me LDK por mendoj që parimisht me pa, nëse duhet me kriju pak a shumë njëfar ngrohtësie politike në Kosvoë, do duhej që opozita do duhej me pas kandidatin e vet, jo për opozitën por kandidat që e kryen funksionin sipas Kushtetutës dhe sipas rregullave dhe ligjeve të Kosovës, por edhe në raport me detyrimet që ka presidenti i vendit për të kriju një harmoni funksionimi të politikave në Kosovë”, përfundoi ai për GazetaBlic.