Nëse Kosova s’e zgjedh presidentin, BE-ja do të dërgoj një të sajin në Prishtinë, ja kush paralajmëron?

Gazetari Enver Robelli shkruan se Bashkimi Europian pritet të ndërhyjë në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, në rast se partitë politike nuk arrijnë konsensus për një kandidat të përbashkët. Sipas tij, burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se ndërmjetësimi do t’i besohet diplomatit veteran polak Tadeusz Kazowiecki.

 

Robelli thekson se, nëse ngërçi politik vazhdon, mund të propozohen edhe tre personalitete europiane – Joschka Fischer, Wolfgang Petritsch dhe Milan Kučan – si kandidat për president me mandat dyvjeçar, ndërsa sipas burimeve të tij, është përjashtuar opsioni i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Më poshtë postimi i plotë i tij:

 

Burime të mirëinformuara njoftojnë, në kushte anonimiteti, se të martën Bashkimi Europian do të emërojë diplomatin veteran polak Tadeusz Kazowiecki si ndërmjetësues mes partive politike të Kosovës për gjetjen e një kandidati për president të Kosovës. Në rast se partitë kosovare e vazhdojnë traditën e ofendimit të zgjedhësve, ndërmjetësi Kazowiecki do të propozojë tre personalitete europiane si kandidatë për president të Kosovës me mandat dyvjeçar.

Gjermania e ka propozuar Joschka Fischerin, Austria Wolfgang Petritschin dhe Sllovenia Millan Kuçanin. Varet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nëse do të gjejnë një kandidat konsesual vendor apo do të detyrohen të pranojnë një president të vendosur në fron nga BE. Burimet po ashtu tregojnë se Kazowiecki ka përjashtuar shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare.(INA)