Pas javësh të tëra hamendësimesh, dyshimesh dhe pyetjesh të shumta nga publiku, misteri që ka rrethuar jetën sentimentale të Benitës brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova ka filluar më në fund të marrë formë.
Banorja, e cila prej ditësh ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të qëndrimit të saj emocional dhe deklaratave të nënkuptuara, ka vendosur të flasë hapur gjatë një bisede të sinqertë me Klodin dhe Elijonën, duke zbuluar detaje të pathëna më parë nga historia e saj e dashurisë jashtë shtëpisë.
Benita ka rrëfyer se është pjesë e një lidhjeje që zgjat prej plot pesë vitesh, një romancë që sipas saj ka nisur në një periudhë kur ajo nuk ishte figurë publike dhe nuk kishte asnjë lloj ekspozimi mediatik.
Ajo theksoi se partneri i saj e ka dashur që në fillesat e saj, “kur nuk ishte askushi dhe pa asnjë ndërhyrje”, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre është ndërtuar mbi baza të forta emocionale dhe jo mbi famën apo interesin.
Megjithatë, kjo histori dashurie duket se po përjeton një nga momentet më të vështira, pikërisht për shkak të hyrjes së Benitës në këtë reality-shoë dhe pasojave që kjo eksperiencë ka sjellë në raportin e tyre.
Sipas burimeve të sigurta të Prive by Liberta Spahiu, personi që vazhdon të “mbajë peng” zemrën e Benitës është Endri, një emër që për shumëkënd nuk është aspak i panjohur.
Bëhet fjalë për artistin që rreth një dekadë më parë ishte një sensacion i vërtetë për publikun e ri, me këngë që u kthyen në hite dhe e vendosën atë në majat e suksesit muzikor.
Pas asaj periudhe të artë, Endri vendosi të tërhiqej nga skena muzikore për t’u fokusuar në biznes dhe jetën private, duke u distancuar nga vëmendja mediatike.
Megjithatë, kjo histori e re duket se e ka rikthyer sërish në qendër të interesit publik.
Gjatë bisedës në shtëpi, Benita ka treguar se partneri i saj ka qenë kategorikisht kundër hyrjes së saj në Big Brother VIP Kosova, duke e parë këtë hap si një rrezik serioz për lidhjen e tyre.
Ajo nuk e fshehu faktin se xhelozia ka qenë një nga problemet kryesore mes tyre, sidomos gjatë vitit të fundit, ku marrëdhënia ka kaluar nëpër ulje-ngritje të shumta.
Sipas saj, situata është bërë edhe më e ndërlikuar tani që ajo ndodhet brenda shtëpisë, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të kamerave dhe në mes të lojërave, strategjive dhe marrëdhënieve të reja që krijohen në një format të tillë.
Banorja shprehu hapur frikën dhe pasigurinë që ndjen për të ardhmen e kësaj lidhjeje, duke deklaruar se nuk e di nëse partneri i saj po e pret ende jashtë apo nëse kjo eksperiencë ka qenë pika e fundit që ka tronditur përfundimisht raportin e tyre.
Fjalët e saj lanë të kuptohet se, pavarësisht përpjekjeve për të qëndruar e fortë në lojë, emocionalisht ajo mbetet e lidhur fort pas kësaj historie dashurie që e shoqëron prej vitesh.
Tashmë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet më tej, si brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova ashtu edhe jashtë saj.
A do të shërbejë kjo histori si një shtysë për rikthimin e Endrit në muzikë dhe në skenën publike, dhe a do të ketë kjo romancë një fund të lumtur pas gjithë këtyre sfidave, apo “lojërat e shtëpisë” do t’i japin fund përfundimisht kësaj lidhjeje 5-vjeçare që po vihet në provë më shumë se kurrë./ORAinfo/