Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, është bërë objekt i thirrjeve fyese nga tifozët e Zenitit të Shën Petersburgut gjatë ndeshjes së zhvilluar më 12 gusht, në raundin e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Rusisë.
Takimi, i fituar 3-0 nga Zeniti, u shoqërua me tensione në tribuna, ku një pjesë e tifozëve vendas ofenduan 27-vjeçarin shqiptar.
“Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i RFU-së do të shqyrtojë episodin me thirrje ofenduese nga tifozët e Zenitit të Shën Petersburgut, drejtuar sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku”, deklaroi kreu i komitetit, Artur Grigoriants, për agjencinë ruse “RIA Novosti”. Ai shtoi se mbledhja disiplinore do të zhvillohet më 20 gusht.
Në atë përballje, Daku arriti të shënonte një gol, i cili u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Ironikisht, gjatë kësaj vere sulmuesi ishte shumë pranë transferimit te Zeniti i Shën Petersburgut, por në fund vendosi të qendrojë te Rubini, që i rinovoi kontratën.
Komiteti i RFU-së pritet të vendosë nëse Zeniti do të ndëshkohet për sjelljen e tifozëve të tij, ndërkohë që rasti ka marrë vëmendje në mediat ruse, duke rikthyer në fokus marrëdhënien mes klubit dhe lojtarit shqiptar.