DOKUMENT | Nuk dëshiroi askush ta riparojë për 10 mijë euro veturën ikonike të Rugovës, Osmani ia shton edhe 10 mijë të tjera

Kompanive që riparojnë vetura u është dukur shumë pak shuma prej 9900 euro për ta riparuar automjetin ikonik Chevrolet, të cilin e përdorte ish-presidenti Ibrahim Rugova. Presidenca e Kosovës, e cila e ka marrë përsipër këtë punë, ia ka shtuar edhe po aq mjete vetëm që të riparojë atë automjet, shkruan Demokracia.com.

Presidentja Vjosa Osmani është e vendosur që të përdorë për marketing njërën prej veturave ikonike të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Pak ditë më parë, Presidencës i ka dështuar tenderi i vlerës së vogël “Riparimi dhe përgatitja teknike e automjetit historik Chevrolet për aktivitete ceremoniale”. Zyra e Osmanit e kishte anuluar krejt procesin e prokurimit, të cilin e kishte iniciuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Kjo erdhi për shkak se nuk kishin pranuar asnjë ofertë të kompanive që merren më këso punësh.

Vlera e kontratës ka qenë 9900 euro. Tash këtë vlerë, prokurimi i Presidentes e ka çuar në 20000 euro dhe afati për konkurrim është deri më 20 mars. Nga tender i vlerës minimale, tash është shndërruar në vlerë të mesme.

Siç ka parë Demokracia.com, kërkesa është për një varg riparimesh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndonëse e braktisi partinë e liderit të saj shpirtëror, ish-presidentit Ibrahim Rugova, ajo po vazhdon ta përdorë atë politikisht. Osmani, e cila kishte thënë se vetura e presidentit Rugova duhet të ruhet në muze, tani është penduar.

Sic shihet, ajo ka vendorur që njërën prej veturave të eskortës së Rugovës ta mbajë për vete, që të bëjë marketing institucional me të.

Osmani në dhjetor të vitit të kaluar kishte urdhëruar Zyrën e Prokurimit që të nisë procedurat për riparimin e veturës kryesore të ish-presidentit Rugova. Kjo ngase po i nevojitet asaj për ceremoni të ndryshme.

Veturat e tipit Chevrolet i ka zënë pluhuri që shumë vite në oborrin e Presidencës dhe disa në oborrin e Ministrisë së Kulturës. /Demokracia.com/