Deputeti Alizoti: Na zuri belaja me Ramën në Shqipëri, e kjo ju erdhi dhe juve në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, në një intervistë në emisionin “Përballje” të premten, ka folur për raportet e tensionuara mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, deputeti kritikuar ashpër kryeministrin Rama të cilin e ka cilësuar edhe si “bela”, ndërsa ka thënë se shpreson që Shqipëria të shpëtojë nga ai.

“Unë mendoj se jemi në rrugëtimin tonë natyral për të qëndruar si një komb. Kjo rrugë e jona duhet me zgjuarsi të kombinohet me interesat ndërkombëtare gjeopolitike. Këtu duhet të jemi pak të shkathët. Është çështje kohe. Shpresoj të shpëtojmë edhe ne në Shqipëri nga Rama se na gjeti belaja e belaja jonë ju ka ardhë dhe po ju ha edhe juve atje. Na ka ikur një njeri nga cirku na çmendi ne, po ju çmend juve dhe po e çmend edhe botën”, është shprehur Alizoti.

Duke komentuar veprimet e fundit të Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë, ai ka thënë se kryeministri shqiptar po sillet si suedez.

“Rama po sillet si suedez e jo si shqiptar. Edhe sikur Kurti të jetë gabim në hapat që ndërmerr, Rama duhet t’i mbulojë me gjithë administratën që ka, me gjithë shtetin që ka duhet të ia mbulojë gropat dhe gafat Kurtit”, është shprehur deputeti i PD-së.