Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar sot në veri të Kosovës, ku protestuesit tentuan të ndalonin kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të vendit, të hynin në zyra pas marrjes së mandatit.
Në një postim në Twitter, Rama ka qenë thumbues ndaj qeverisë së Kosovës, duke u shprehur se ajo që ndodhi në veri nuk ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ndërsa nuk ka lenë pa përmendur edhe reagimin e SHBA.
Rama ka “paralajmëruar” që Kosova të mos ecë në një “shteg të rrezikshëm e të panevojshëm” siç e quajti ai.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbis”, shkroi Rama.