Sveçla, qytetarëve serbë të Kosovës: Regjistroni targat RKS, s’lejohet lëvizja me targa ilegale pas 31 tetorit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që t’i regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS, mundësi kjo që u ofrohet deri më 31 tetor.

Përmes një video-adresimi në gjuhën serbe në Facebook, ai ka paralajmëruar komunitetin serb se pas 31 tetorit, nuk lejohet qarkullimi me targa ilegale.

“Ju bëjmë thirrje që, pa humbur kohë, të shfrytëzoni këtë mundësi. Pas kësaj date, veturat të cilat posedojnë targat ilegale nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në pikë kalimet kufitare. Liria e lëvizjes barazia, por edhe sundimi i ligjit në tërë territorin, pa dallim, mbeten prioritet i ynë, andaj, ju ftojmë që deri më 31 tetor, të shfrytëzoni këto lehtësira dhe të bëni kthimin e targave ilegale në targa legale RKS”, ka thënë ai.

Sveçla ka listuar edhe lehtësirat që vinë me këtë proces të regjistrimit.

“Ky proces ofron lehtësira të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vjet, si dhe lirimin nga taksa doganore, taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifa për targën, taksën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjeteve. Gjithashtu, nga tani e tutje, ju mund të regjistroni mjetet me targat e regjionit tuaj në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Më herët, një adresim pati edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpo se iu drejtua shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Ai u bëri thirrje që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullësisë.

Kurti tha se numri i popullësisë që del nga regjistrimi përcakton politikat 10-vjeçare zhvillimore e sociale, ndaj është e nevojshme që shqiptarët e këtij rajoni të regjistrohen.

Sipas Kurtit, regjistrimi i shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm çështje statistike, por më shumë se aq.

“Shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskriminim kombëtar dhe njerëzor e së fundi edhe me pasivizim të adresave të tyre. Prandaj, regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike”, tha Kurti.

Thirrjen e tij, Kurti e përcjell me mesazhin se shqiptarët që jetojnë në Serbi duhet të “dëshmojnë me vendosmëri që janë aty”.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që t’u përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten dhe familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, ka thënë Kurti të shtunën në mbrëmje.