Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se më 15 janar 1999 në Reçak u krye një prej krimeve më monstruoze të makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviqit, por ishte edhe moment kthese në histori.
Osmani thotë se Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike të mobilizoheshin për të mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal.
“Të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, që atë kohë e udhëhiqte presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sikur ish-shefi verifikues i OSBE-së, William Walker, të mos kishte lëshuar një kushtrim gjithandej. Ai tha: ‘Nga ajo që pash nuk nguroj ta përshkruar ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Është ngjarja më trishtuese në jetën time’. Kjo frazë e tij, mbeti përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve, por u shndërrua edhe në jehonë që bota demokratike e dëgjoi të kumbonte gjithandej. Ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda të historisë sonë”, ka thënë Osmani.