Arsenal sonte shënoi fitore me rezultat 3-2 në ‘Emirates’ në një ndeshje tejet interesante kundër Liverpool. Në momentin kur gjyqtari, Michael Oliver akordoi penallti në të mirë të vendasve mesfushori, Granit Xhaka pati një kacafytje me kapitenin e Liverpool, Jordan Henderson, transmeton Gazeta Metro.
Fal golit të shënuar nga penalltia në minutën e 76’të nga Bukayo Saka, ‘Topçinjtë’ arritën fitoren e tetë për këtë sezon.
Por, para se ai të ekzekutonte penalltinë futbollistët mysafirë protestuan te gjyqtari për vendimin e tij. Jordan Henderson duke u fjalosur me mbrojtësin brazilian, Gabriel aty ndërhyri edhe Granit Xhaka.
Pas kësaj siç shihet në një video të publikuar në rrjetet sociale si Henderson ashtu edhe mesfushori me origjinë nga Kosova filluan të shtynin njëri-tjetrin. Dhe, u desh ndërhyrja e futbollistëve të tjerë për të ndaluar këtë situatë.
Arsenal me këtë fitore ka arritur në kuotën e 24 pikëve dhe gjendet në pozitën e parë në tabelë. Ndërsa, skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp ‘vulosi’ fillimin katastrofal të këtij sezoni.
Nënkampionët e Premier League dhe Ligës së Kampionëve pas tetë ndeshjeve të zhvilluara kanë arkëtuar vetëm dhjetë pikë dhe gjenden në vendin e 11’të. /gazetametro.net