Mos u nxitoni. Ai edhe më tutje po paguhet si kryeministër. Ai ka dhënë dorëheqje vetëm nga detyrat që i ka një kryeministër.
Berat Buzhala
Në mëngjes, pak para se të nisesha për punë, po e shikoja emisionin e Edita Dolit në TV Dukagjin. Edita po i zhvillonte dy anketa me shikuesit e saj besnikë, shumicën e të cilëve ajo i njeh me emër dhe mbiemër. Në anketën e parë Edita po pyeste: Kush e ka çelësin e shkollave, që po qëndrojnë të mbyllura? Votuan përmes telefonit rreth 50 veta, prej të cilëve shumica e mbajtën përgjegjes qeverinë. Një përgjigje e tillë, kur për herë të parë në një anketë me telefonata VV e humbë betejën, i bëri përshtypje Editës, prandaj vendosi që të shkonte edhe me një pyetje të radhës. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, cilën parti do ta votonit? Meqë në ora 10 duhej të isha në zyre, arrita që t’i dëgjoja vetëm 20 telefontat e para. Po zhvillohej një luftë e ashpër në mes të LDK-së dhe LVV-së. Në momentin që unë e mbylla derën dhe e lashë garën duke vazhduar LDK po printe për një votë, ose për një telefonatë.
Një gjë e tillë do të kishte qënë e pabesueshme vetëm para disa muajve. LVV ishte brutale në anketa të tilla, qoftë me telefonata ose në internet. Akumulimi i problemeve të mëdha në vendin tonë, i ka dhënë fund kësaj romance. Njerëzit kanë filluar të mendojne me tru e jo me zemër. Realiteti politik ka ndryshuar, partitë janë reformuar, posaçërisht LDK, dhe një gjë e tillë nuk ka kaluar pa u shënuar prej qytetarëve. Me përgjigjet në telefon, me dy anketat e fundit prej dy kompanive të ndryshme, LVV’së ka filluar t’i harxhohet bateria, kurse LDK’së po i mbushet. A ka ndodhur përmbysja? Jo, ende. A ka filluar një erozion i fuqishëm nën këmbët e LVV’së, pa asnjë fije të dyshimit.
LVV tash e disa javë ka filluar zgjedhjet e brendshme, një përpjekje kjo e Albin Kurtit për ta rithemeluar partinë e tij, subjekt ky që në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte çdogjë tjetër përveç parti politike. Degradimi i spektrit tjetër politik e kishte shndërruar Vetëvendosjen në një lëvizje popullore, ku nuk kishte rëndësi ideologjia por kishte rëndësi ndryshimi. Rreth Albinit ishin bashkuar të gjithë, islamistët, liberalët, nacionalistët shqiptarë, jugonostalgjikët e kush jo tjetër. Albin Kurti e kishte marrë rolin e një profeti që ka ilaç për çdo gjë dhe për cdo kënd, mjaftonte të luteshe para tij.
Tash, kur kanë kaluar një vit e gjysmë prej kur kjo lëvizje e mori pushtetin, ato grupet e interesit, formacionet e ndryshme ideologjike, gradualisht kanë filluar që t’i shpalosin synimet. Secili e ka nga një dert a nga një faturë për qeverinë dhe për Kurtin. Ky i fundit as nuk e ka gatishmerinë e as nuk i ka mundësitë që atyre t’u përgjigjet pozitivisht. Prandaj, në këto rrethana, duke e parë që problemi sa vjen e po i rritet, ai ka vendosur që LVV’në ta bëj parti politike. E inxhinieroi një proces zgjedhor, në të cilën kandidatët nëpër degë përgjigjeshin si në kuiz në disa pyetje. Kushdo që përgjigjej gabimisht eliminohej nga gara.
Vetëvetiu një reformë e tillë nuk është gjë e keqe. Në fakt është gjëja e duhur për një subjekt politik, por kjo tash e demaskon gënjeshtren e madhe të 14 shkurtit dhe jorgani i madh me të cilin Kurti kishte menduar dhe pretenduar për t’i mbuluar të gjithë. Moti erdhi duke u ftohur dhe ai jorgan nuk po mund t’i mbulojë të gjithë. Ata që kanë mbetur jashtë tij tash me të drejtë po kërkojnë një strehë të re. Këtu para së gjithash po mendoj për deputetët e LVV’së që anojnë kah islami politik. Kurrë nuk e kam pasur asnjë fije të dyshimit që për këtë grup të deputeteve ideologjia që ata e përfaqësojnë është më e fortë se çfarëdo ideologjie tjetër. Rrugës Kurti do të përballet edhe me fraksione të tjera. Ai është politikan që funksionon me diktat, gjë që do t’i acarojë edhe liberalët brenda grupit të tij. Ai është duke i acaruar, siç mësohet, edhe ish bashkëpunëtorët e tij të vjetër.
Kjo e sjellë vendin tonë në një situatë të re politike, ku LVV bie nën 30 përqind, atje ku realisht kishte qënë në zgjedhjet e vitit 2019, që mund të jetë shtrati i vërtetë i saj.
Në ndërkohë, rivali direkt i Kurtit në politikë, LDK, nga e cila kishte marrë më së shumti vota, me 14 shkurt i ka mbajtur shënimet e duhura. E ka dëgjuar elektoratin me vëmendje të madhe. Nuk ka synuar që ta ndryshojë elektoratin, por e ka ndryshuar veten. Brenda një kohë të shkurtër është dyfishuar, kurse kur jemi edhe 2 vjet e gjysmë larg zgjedhjeve të rregullta, LDK e ka mundësinë reale që t’i shtojë edhe 6-7 për qind të votave, gjë që do ta bënte pretendente direkte për t’i fituar zgjedhjet, për herë të parë që nga viti 2004.
Përkundër euforisë së viteve të fundit, qytetarët e Kosovës – fatbardhësisht – edhe më tutje nuk duket që janë të gatshëm që të rreshtohen pa asnjë kusht pas një subjekti a një personi. Ata që me 14 shkurt e penalizuan gjithë spektrin politik, gjashtë muaj më vonë në zgjedhje lokale e paralajmëruan LVV dhe Kurtin që e njëjta gjë do ta pres edhe atë, nëse ai nuk reflekton. Askush nuk ka kohë për të humbur. Qytetarët patën vendosur që ta votonin Kurtin për t’iu ikur dramave, kurse krejt çka ky po iu ofron atyre është një triller.
Një kryeministër që udhëton 10 mijë kilometra për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të një udhëheqësi politik të vrarë disa muaj më parë, kurse prapa vetes e lë një kaos të paparë ndonjëherë në vendin tonë, në fushën e arsimit, nuk mendoj që ka nevojë të rrëzohet. Ai çdo ditë është duke e rrëzuar veten.